Search

Ministrja e Energjisë: Do të ndërtohen 2 parqe fotovoltaike në Korçë, 2% e energjisë së prodhuar gjatë vitit do t’i jepet shtetit shqiptar

10 Qershor, 2022


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes së Shqipërisë, Belinda Balluku ka treguar disa vendime të Këshillit të Ministrave për energjinë elektrike. Balluku tha se është kaluar projektvendimi që prodhuesit e përcaktuar me përparësi të energjisë elektrike të paguajnë disbalancat.

“Kemi kaluar një projektvendim për disbalancat të shkaktuar nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, e cila synon miratimin e mënyrës së trajtimit të disbalancave të shkaktuara nga këta prodhues dhe kostot përkatëse. Deri më sot të gjithë prodhuesit, qoftë nga hidrocentralet e vogla apo parqet fotovoltaike, disbalancat i mbulonin operatorët shtetëror, ndërkohë që duke filluar nga dita e sotme, të gjithë entitetet që prodhojnë energji dhe janë prodhuesit e përcaktuar me përparësi të energjisë elektrike do të paguajnë disbalancat që është çmim simbolik por shëndosh sistemin elektroenergjetik dhe financat e kompanive shtetërore që operojnë në këtë sistem”, tha Balluku.

Ndërsa në Korçë do të ndërtohen parqet fotovoltaike, ku secili prodhon nga 20 MWH dhe 2% e energjisë së prodhuar gjatë vitit do t’i jepet shtetit shqiptar.

“Kemi miratuar sot dy parqe fotovoltaike në qarkun e Korçës, secili nga 20 MWH, pa mbështetje financiare nga shteti shqiptar, pra investim privat. Ky është lajm shumë i mirë, është investim nga entitete vendase, por që përkon me një periudhë shumë të vështirë sa i përket energjisë elektrike kur ne si vend kërkojmë të rrisim kapacitetet prodhuese sidomos ato të energjisë së gjelbër, dhe iniciativa të tilla mbështeten për t’i dhënë shpejtësi më të madhe për ndërtim dhe procedurat.

Shteti shqiptar përfiton nga këto parqe pasi 2% e energjisë së prodhuar gjatë vitit i jepet shtetit shqiptar në formë produkti ose pagese në formë të rentës.

Gjithashtu një tjetër vendim është projektvendimi për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure për zhvillimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror. Të dy vendburimet që kanë qenë në pronësi të Al Petrol, në fund të jetës së ciklit të investimeve do të kemi rijetësim, parashikohet që në fazën e eksplorimit të investohen 500 mijë dollarë për secilin vendburim, investim i rëndësishëm në fushën e gazit”, tha Balluku.

// lexo.al