Search

Ministria e Mjedisit shpallë tender për ndriçim efiçient publik në 23 komuna me vlerë 2,37 milion euro

11 Mars, 2021


Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka hapur tenderin për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndriçim publik në 23 komuna në Kosovë.

Përmes projektit, Ministria ka për qëllim të ulë kostot financiare të ndriçimit publik me zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë për 70 për qind, dhe pret që kthimi i investimit do të bëhet brenda dy viteve.

‘Projekti do të kontribuojë edhe në arritjen e cakut prej 11% për kursim te energjisë. Republika e Kosovës është nënshkruese e Traktatit te Komunitetit te Energjisë, ku ka marr edhe obligime ne raport Komisionin Evropian, prandaj Ministria ne bashkëpunim me Komuna dhe donatorë planifikon te zhvillojë këtë projekt ne një përiudhë trevjeçare’, ka thënë Ministria në dosjen e publikuar të tenderimit.

Vlera e parashikuar e kontratës është rreth 2,37 milion euro, ndërsa zbatimi i projektit do të zgjasë tre vite.

Minsitria e Mjedisit ka thënë që zbatimi i projektit të ndriçimit efiçient publik do të kursejë buxhetin komunal me rreth 3,31 milion euro në vit.

Të interesuarit mund të dorëzojnë aplikacionet deri më 26 mars në ora 13:00 ndërsa takimi për hapjen e tenderëve mbahet vetëm tri ditë më vonë, më 26 mars në ora 13:00.