Search

MCC, NPB dhe banorët e soliterave ikonik të Prishtinës nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëfinancimit

24 Qershor, 2022


Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK) së bashku me Ndërmarrjen Publike Banesore dhe banorët, kanë nënshkruar marrëveshje trepalëshe për renovimin e pesë objekteve “Soliterat”. Tek pesë ‘Soliterët’ pritet të ketë investim deri në 2,6 milionë euro, dhe do të jetë bashkëfinancim edhe me banorët e këtyre objekteve.

Për 5 soliterët MCC ofron 60% të financimit, komuna 30% dhe NPB me banorët 10% të financimit. Sipas deklarimit të një prej përfaqësuesve të banorëve, NPB në diskutim me banorët u ka dhënë afat të pagesës me kohëzgjatje deri në 7 vite (13-15 euro në muaj), për renovimet në këto objekte.

Derisa, nga pagesa do lirohen kategoritë me rast social, familjet me persona me aftësi të kufizuara, nënat vetëushqyese, gratë e veja dhe pensionistët.

Përfaqësuesi i MCC-së, Petrit Selimi, tha se shpreson që projekti të jetë i gatshëm në vjeshtë të këtij viti.

“Ka shumë banor, ankesat kane qenë tash e një dekadë për shkatërrimin gradual të objektit. Mileniumi i Kosovës me mjetet e MCC-së ka hyrë në bashkëfinancim me komunën për renovimin e këtyre objekteve. Jemi duke punuar me afate të ngushta kohore por punët kanë filluar, dhe po shpresojmë që bashkë t’i  i inaugurojmë objektet që në vjeshtë, shtator ose tetor”, tha ai.

Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxhaj, tregoi në detaje për këtë investim. Tha se rregullimi do të bëhet edhe brenda objekteve, në shkallët e objektit dhe ashensorët.

“Po me vjen mirë që po nënshkruajmë marrëveshjen jemi munduar që të kemi një rol koordinues në këtë projekt dhe ja kemi arrit. Pjesë e këtij projekti do të jetë edhe investimi në brendi, rregullimi i shkallëve e ashensorëve. Ju falënderoj për vullnetin, do të doja që ky projekt të jetë fillestar. Nga ky projekt do të vazhdojmë edhe me lagje të tjera. Ideja jonë është që të mos ndalemi me këtë projekt”, tha Hoxha.

//EO