Search

Maqedonia e Veriut siguron mjetet për energji termike deri në muajin janar

06 Dhjetor, 2022


Për këtë sezon të ngrohjes, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka siguruar 1 miliard e 900 milionë denarë ose 30.8 milionë euro për energji termike.

“Këto mjete janë të mjaftueshme deri në fund të vitit 2022 dhe për janar 2023. Më pas do të bëhen llogaritjet për katër muajt e ardhshëm, nga janari deri në fund të prillit. Dhe pastaj do të kemi kalkulime se sa mjete shtesë do të nevojiten deri në fund të sezonit të ngrohjes”, tha dje Vasko Kovaçevski, drejtor i SHA EMV-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Përveç dhënies me qira të termocentraleve Lindore dhe Perëndimore, EMV është gjithashtu përgjegjëse dhe ka marrë menaxhimin e SHA Shkup Veri për të siguruar burime financiare dhe gaz natyror për të dhe për të siguruar që të mos ketë ndërprerje në dërgesë të energjisë termike për rreth 500 familje dhe 13 institucione në atë pjesë të Shkupit.

“Ne marrim vetëm menaxhimin, që do të thotë se kontratat, faturat dhe çmimet do të mbeten të njëjta, nuk do të ketë ndryshime as në plus as minus. Qytetarët do të vazhdojnë të marrin energji termike me çmim të subvencionuar sepse diferenca në energji termike është dukshëm më e lartë se diferenca në energji elektrike.

Këtu, Qeveria me mekanizmat e saj siguron mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar këto humbje dhe që qytetarët të vazhdojnë të kenë energji termike me çmimin e dhënë nga TEC. Subvencionimi, gjegjësisht mbulimi i diferencës ndërmjet çmimit të TEC dhe çmimit real të gazit natyror, sigurohet nga Qeveria dhe transferohet në llogarinë e dedikuar të ASH EMV”, tha Kovaçevski.

/Telegrafi