Search

Maqedonia e V. sërish në kërkim të energjisë, planifikon 4 milionë euro për blerjen e gati 9 mijë megavat orëve

08 Dhjetor, 2022


Sërish miliona të reja për blerje të reja të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut. Nga nesër e deri më 11 të këtij muaji, afro katër milionë euro do të shpenzohen për blerjen e 8840 megavat orë energji elektrike.

Vetëm për këtë muaj janë shpenzuar më shumë se 10 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike për periudhën nga i pari deri më sot. Kjo është blerja e tretë e energjisë elektrike që bëhet këtë muaj, përcjell FLAKA.

Është blerë nga të njëjtat kompani, emrat e të cilëve vijnë vazhdimisht në raporte. Blerjet nga EMV ende nuk janë publikuar, të dhënat e fundit janë nga fundi i nëntorit. Autoritetet shpresojnë që në dhjetor të gjitha objektet energjetike të punojnë me kapacitet maksimal dhe në këtë mënyrë të ulin nevojën për blerjen e energjisë elektrike.

Tani për tani, Osllomej dhe Negotinë janë kthyer në punë. Por REK Manastir ende po punon me dy blloqe.

Nga EMV thonë se rritjet e blerjeve janë rezultat i faktit se nga 1 dhjetori në EMV Sales i janë bashkuar edhe konsumatorë të tjerë me vendim të Qeverisë, si kompani nga industria ushqimore, shkollat dhe ujësjellësi.

Nga ana tjetër, prodhimi vendas aktualisht mbulon nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, pra të gjithë atyre që janë në tregun e rregulluar dhe për të cilët EMV ka detyrim ligjor që të sigurojë energji elektrike nga vendi.