Search

Lumi Vjosa është shpallur “Park Kombëtar”

21 Mars, 2023


Vjosa, lumi i fundit i egër në Evropë është shpallur “Park Kombëtar” me mbrojtje të plotë kombëtare dhe ndërkufitare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Në ceremoninë e posaçme që u zhvillua në Tepelenë, kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë akt si moment historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën.

“Ky është një moment realisht historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë si një stafetë e mirëqenies, mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar, duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe pa karar i natyrës. Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë.”, tha ai.

Kryeministri shqiptar, ndër të tjera, u shpreh se Shqipëria ka tani 21% të territorit zonë të mbrojtur dhe synimi është që 30% të teritorit ta bëjnë zonë të mbrojtur.

Lumi Vjosa, do të jetë një “Park Kombëtar” unik për Shqipërinë, por edhe për Evropën, i cili e fut Shqipërinë në një tjetër kategori të hartës turistike evropiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.