Search

LNG: Shpëtimtar në krizën e gazit apo dëmtues mjedisi?

24 Mars, 2023


Për të zëvendësuar gazin rus, BE importon tani më shumë gaz të lëngshëm, LNG, nga SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Por çfarë është gazi i lëngshëm, LNG? Dhe a rrezikon ai arritjen e synimeve për mbrojtjen e klimës?

Për të kompesuar mungesën e gazit rus, Gjermania kërkon të verë në përdorim katër terminale të reja si rezervuarë për gazin e lëngshëm, LNG. Futja në përdorim e gazit të lëngshëm shihet vetëm si zgjidhje e përkohshme, por ekspertë druhen se Bashkimi Europian do ta përdorë gazin e lëngshëm për një kohë të gjatë, në fund të fundit Europa është duke u kthyer tani në importuesin më të madh të gazit të lëngshëm në botë.

Ndërkohë që anijet e para me gaz të lëngshëm kanë mbërritur në Gjermaninë e Veriut, në mes të shkurtit erdhi edhe furnizimi i parë nga Emiratet e Bashkuara në terminalin e gazit të lëngshëm në Brunsbüttel, dhe aktivistët në mbrojtje të klimës tani bëjnë fjalë për një prapaktheu të madh në luftën kundër ndryshimit të klimës.

Shkencëtarë që merren me ndryshimin e klimës mendojnë, se fokusimi tek gazi i lëngshëm vë në rrezik të gjitha parashikimet për zbatimin e synimeve në mbrojtje të klimës. Sepse gazi i lëngshëm shkakton dhjetë herë më shumë emisione dioksidi karboni se sa gazi natyror, që transportohet nga linja. Përveç kësaj ekzistojnë dhe dyshime nëse infrastruktura e ngritur për gazin e lëngshëm mund të përdoret, siç është thënë, për hidrogjenin ekologjik.

Importimi i gazit të lëngshëm ka rëndësi të madhe për planet energjetike të Bashkimit Europian – REPowerEU. Megjithatë analistët mendojnë se mungesat aktuale të gazit do kompesohen vetëm pas vitit 2024.

Por për të kuptuar rreziqet potenciale për klimën shkaktuar nga gazi i lëngshëm, duhet mësuar si kthehet gazi në lëng, si transportohet dhe shpërndahet?

Çfarë është gazi i lëngshëm, LPG?

Gazi i lëngshëm, LNG, është gaz natyror i cili kthehet në gjendje të lëngshme nëpërmjet ftohjes në temperatura të ulëta rreth 161 grad celcius nën zero (minus 259 grad fahrenheit). Ky gaz i lëngshëm ka volum 600 herë më të vogël se sa volumi gazit fillestar dhe peshon sa gjysma e ujit.

Lënda djegëse me bazë fosile e komprimuar në këtë mënyrë, që përbëhet pothuajse krejtësisht nga metani, një gaz djegës me fuqi të madhe, mund të transportohen nëpër botë me anije. Kur mbërrin në destinacion, LNG futet në një terminal lundrues, ku kthehet sërish në gaz dhe shpërndahet më tej me anë të një gazsjellësi.

Megjithatë, pavarësisht potencialit të madh të eksportit të gazit të lëngshëm tregu i LNG është i kufizuar për shkak të kostove të larta të kthimit në lëng dhe të prodhimit. Në Gjermani kostot e parashikuara për ndërtimin e terminaleve lundrues të LNG janë dyfishuar shumë shpejt, pjesërisht për shkak të inflacionit në rritje. Edhe ftohja, kthimi në lëng dhe transporti, si dhe rikthimi në gaz pas transportit, kërkojnë shumë energji.

“Rreth 10 deri 25 përqind e energjisë së gazit harrxhohet për procesin e kthimit në lëng,” thotë Andy Gheorghiu, një aktivist gjerman kundër metodës Fracking dhe këshilltar për çështje të klimës dhe energjisë.

Çfarë efektesh ka gazi i lëngshëm ndaj klimës?

Nxjerrja e gazit natyror nga një cisternë, tranporti nga fusha e nxjerrjes së gazit deri tek vendi i përpunimit, ftohja e gazit dhe mbajtja e temperaturës në nivelin e kërkuar, para se sa LNG e transportuar me rrugë detare apo hekurudhore të ngrohet sërish dhe kthehet në gjendje të gaztë, kërkojnë konsum të madh energjie. Humbja e metanit në gjithë zinxhirin e furnizimit kontribuon në shtimin e emisioneve të dioksidit të karbonit të shkaktuar nga LNG.

“Për shkak të proceseve komplekse të prodhimit dhe transportit të LNG, rreziku i çlirimit të gazit metan gjatë prodhimit, transportit dhe kthimit sërish në gaz, është shumë i lartë”, thotë Gheorghiu. Përfundimisht LNG nxjerr “dyfishin e dioksidit të karbonit të shkaktuar nga gazi natyror i zakonshëm “, thotë organizata jo fitimprurëse me qendër në SHBA, Natural Resources Defence Council (NDRC), Këshilli për mbrojtjen e burimeve natyrore.

Analistët norvegjezë të energjisë nga Rystad Energy i shpjeguan Deutsche Welle-s se përpunimi i LNG është aq shumë intensiv në energji dhe karbon, saqë shkakton dhjetëfishin e emisioneve të dioksidit të karbonit që shkakton gazi natyror që vjen nga gazsjellësi. Tek gazi natyror emisionet e dioksidit të karbonit kufizohen tek magazinimi, transporti dhe përpunimi.

Gazi natyror i gazsjellësve në Norvegji ka një intensitet emisionesh dioksidi karboni (nga shpimi i nxjerrjes deri tek tregu) që është dhjetë herë më i vogël se sa emisionet mesatare të dioksidit të karbonit të LNG, shpjegon Kaushal Ramesh, eskpert i LNG tek Rystad.

Në krahasim me energjinë diellore, LNG emeton gjatë prodhimit të së njëjtës sasi energjie 14 herë më shumë dioksid karboni, dhe madje 50 herë më shumë dioksid karboni se sa energjia nga era.

A mund të përdoren terminalet e gazit të lëngshëm më vonë për hidrogjenin ekologjik?

Terminali i parë gjermanme gaz të lëngshëm që është hapur në fund të vitit 2022 në Wilhelmshaven të Bremenit, mund të mbahet në përdorim sipas ligjit për aktivitetin e LNG, deri në fund të vitit 2043, pra tetë vjet pas afatit të vendosur për gjithë sektorin e energjisë në Gjermani për kalimin tek energjitë e rigjenuershme.

Por aktivistët e klimës mendojnë se terminalet lundruese LNG, që vihen në përdorim tani në Gjermani, dhe janë vënë tashmë në punë në Holandë, Francë, Belgjikë, nuk mund të transformohen në infrastrukturë për hidrogjenin ekologjik.

“Ndryshe nga sa pretendohet, terminalet lundruese të LNG nuk janë të qendrueshme për hidrogjenin,” thotë Olaf Bandt, kryetar i Shoqatës për mjedisin dhe mbrojtjen e natyrës në Gjermani, (BUND). “Historia e përdorimit për hidrogjen është e gabuar. Sepse kemi të bëjmë me centrale klasike të lëndëve djegëse me bazë fosile, të cilat nuk sjellin ndonjë rezultat në mbrojtjen e klimës. ”

Prandaj të gjitha terminalet e reja të LNG duhet të ndërtohen në atë mënyrë që të mund të transformohen lehtë për t‘u përdorur për hidrogjenin ekologjik, për të përshpejtuar kalimin tek energjitë e pastra,” kërkon Bandt.

A e ul gazi i lëngshëm çmimin e gazit?

Deri në fund të dekadës kostot shtesë për importet gjermane të gazit mund të arrijnë deri në 200 miliardë euro dhe faturat e gazit për konsumatorët të dyfishohen, thotë një studim i studiuesve të institutit gjerman për klimën, E3G, me qendër po ashtu në Berlin.

Prandaj ekziston frika se kapacitetet e tepërta në infrastrukturën e LNG dhe kontratat afatgjata në portet gjermane të LNG, çojnë në humbje investimesh, të ashtuquajturën “stranded assets” – dhe pengojnë njëkohësisht ndalimin e përdorimit të lëndëve djegëse me bazë fosile.

Sipas një raporti të institutit gjerman, New Climate Institute, terminalet e reja që pritet të ndërtohen do të kenë pas përfundimit, një kapacitet që është dy të tretat më shumë se sa konsumi aktual i gazit në Gjermani.

Një rritje e tillë konsumi është jo vetëm në kundërshtim me synimet kombëtare gjermane për mbrojtjen e klimës, por përbën shkelje të ligjeve kombëtare dhe detyrimeve ndërkombëtare në kuadër të Marrëveshjes së Parisit,” thuhet në studim.

Në vend të tyre, mungesa e gazit rus mund të kompesohet me burime të qendrueshme energjie. Këtu bëjnë pjesë përmirësimi i përgjithshëm i furnizimit eficient të ndërtesave me energji dhe instalimi i pompave elektrike të ngrohjes, të cilat mund ta përshpejtojnë po ashtu ndryshimin e burimeve të energjisë, thotë Maria Pastukhova, këshilltare drejtuese politike në E3G.

Dhe këshilltari për politikat energjetike Andy Gheorghiu llogarit se: “Vetëm nëpërmjet investimeve në ngrohjen eficiente të ndërtesave Gjermania mund të kursejë më shumë gaz, se sa gazi që ofrojnë terminalet e LNG.”

/DW