Search

Kushtet e BE-së për investimet milionëshe në KEK

23 Janar, 2023


Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se këtë vit pritet të fillojë projekti për vendosjen e filtrave, i cili do të duhej të fillonte në vitin 2022. Ata kanë thënë se në prill do të fillojë riparimi i kazanëve të Kosovës B, siç parashihet edhe me marrëveshjen e KEK-ut dhe BE-së, që i zgjatin jetën këtij termocentrali edhe për shumë vite tjera.

Rreth 25 vite synohet t’i rritet jetëgjatësia Termocentralit Kosova B.

Me investimin 11 milionësh në kazanët e këtij termocentrali të cilët përkundër vjetërsisë reale të tyre janë në prodhim të pandërprerë tash e 40 vite, mund të riparohen për të punuar edhe disa vite pa problem.

Ndonëse ky riparim është parakusht për implementimin e projektit të vendosjes së Elektro Filtrave, pjesë e marrëveshjes me BE-në, i njëjti nuk ka filluar ende.

Krejt ky projekt KEK-ut do të i kushtojë rreth 15 milionë euro, të cilat detyrohet që ti siguroj vetë.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve është planifikuar të fillojnë në Prill të këtij viti. Lidhur me këtë, në vitin 2022, KEK-u ka nënshkruar kontratën në vlerë prej 15.2 mil. euro. dhe do të financohet nga KEK-u. Për më tepër, intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve është parakusht i domosdoshëm për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave dhe DeNox në Kosova B”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.

Në një përgjigje për Kanal 10, Bashkimi Evropian, i cili financon vendosjen e elektro filtrave ka thënë se KEK-u ka afat 6 muaj për ta përfunduar këtë riparim.

“Pritet që riparimet e financuara nga KEK-u të përfundojnë në tetor 2023. Punimet e financuara nga BE-ja pritet të fillojnë në prill 2024. Investimet e pritshme për punët e financuara nga KEK-u dhe ato të financuara nga BE-ja janë rreth 100 milionë euro. Parashikohet që projekti të përfundojë në fillim të vitit 2026″, thueht në përgjigjen e BE-së.

Ekspertet e energjetikës këto investime në Kosovën B i shohin si të domosdoshme, sidomos në këtë vit, i cili pritet ta thellojë krizën me energjinë.

Ndërkaq, me situatën aktuale të energjisë, njohësi i energjetikës Fatos Aliu vlerëson se kapacitetet gjeneruese janë të pamjaftueshme, duke bërë kështu që Kosova të varet edhe më shumë prej importit.

Ndërrimi i filtrave, fillimisht ishte paraparë të bëhej në vitin 2020, por ishte shtyrë për shkak të pandemisë.

Më pas, projekti synonte të vazhdonte gjatë vitit 2022, por edhe kësaj here ishte shtyrë për shkak të thellimit të krizës energjetike.

/Gazeta10