Search

Kurti e Rizvanolli apelojnë për kursim të rrymës: Janari e shkurti muaj kritikë

27 Dhjetor, 2022


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, në një konferencë për media të shtunën, kanë bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike.

Para gazetarëve, Kurti ka thënë se muajt e ardhshëm do të jenë sfidues, veçanërisht janari dhe shkurti do të jenë më kritikë meqë rritet çmimi i rrymës edhe në treg ndërkombëtar.

“Situata e menaxhuar mirë deri më tani s’duhet të na japë ndjesinë e rehatisë. Tanimë gjatë këtij muaji kemi parë çmime mbi 500 euro për megavat për orë”, është shprehur ai.

Tutje, kreu i ekzekutivit është lavdëruar pasi ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria për të krizën energjetike kanë dhënë efekt deri tash.

Sipas tij, këto masa kanë ulur me 8 për qind konsumin e energjisë elektrike në krahasim me vitin e kaluar.

“Gjatë vitit 2022, kemi ndarë 85 milionë euro për qytetarët në përballje me këtë krizë të madhe. Me subvencionimin e faturave për të gjithë, e kemi evituar rritjen e çmimit për familjen, komunat e institucionet publike që konsumojnë 800 kWh. Kemi mundësuar çmime më të lira se në rajon. Më subvencionimin shtesë për ata që kursejnë kemi ndihmuar mbi 161 mijë familje në shtator, mbi 212 mijë familje në muajin tetor”.

“Është rritur numri atyre që kursejnë muaj pas muaji. Kemi bërë shpërblim për ata që kursejnë. Me këto masa, kemi balancuar nevojën e qytetarëve për të evituar rritjen e çmimit të energjisë dhe kemi vepruar në përputhje me strategjinë e energjisë. Kemi arritur të ulim konsumin e energjisë elektrike me 8 për qind krahasim me vitin e kaluar. Veçanërisht në amvisëri, në muajin nëntor kemi arritur deri në 15 për qind”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit gjithashtu ka falënderuar qytetarët që po kursejnë energjinë elektrike dhe ka thënë se falë kësaj u mundësua që të ketë furnizim të rregullt, pa reduktime.

Por, ai ua ka tërhequr vërejtjen bizneseve që nuk kanë kursyer.

“Secilin e secilës prej jush, ju lus të vazhdoni ta intensifikoni kursimin e energjisë gjatë muajve në vijim.

Ndërsa, te komunat e bizneset tek te cilët fatkeqësisht s’kemi parë një nivel të tillë kursimi, i lusim që të shtojnë përpjekjet në këtë drejtim. Në të kundërtën subvencionimi nga buxheti i shtetit me paratë e taksapaguesve për bizneset e komunave nuk mund të bëhet në të ardhmen”.

Edhe ministrja Rizvanolli teksa ka apeluar për kursim të energjisë, ka thënë se sivjet investimet në efiçiencë të energjisë “janë rritur shumëfish”.

Sipas saj, janë siguruar më shumë se 400 milionë euro investime për sektorin e energjisë.

“Gjërat e mira vijnë ngadalë, sidomos për energjinë ku vlera e investimeve është e lartë e kompleksiteti do kohë”, ka thënë ajo.