Search

Kryeministri Kurti për kalimin nga qymyri në gaz: Në atë rast, do të na duhej ta bënim tranzicionin dy herë

27 Shtator, 2021


Një model të ri i qëndrueshëm ekonomik që i çon vendet e Ballkanit Perëndimor drejt përparimit social dhe ekologjik, përmirëson mirëqenien e njerëzve dhe siguron drejtësi sociale dhe ekonomike, u vlerësua si i domosdoshëm nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Forumin socio-ekologjik në Shkup.

Krahas Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, Kryeministri Kurti, mori pjesë në panelin diskutues “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, në forumin e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung, Olof Palme International Center dhe Progres Institute for Social Democracy.

Ekonomia qarkore, një nga blloqet kryesore të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, u theksua nga kryeministri Kurti si një mjet që mund të na çojë drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike, të na ndihmojë me dekarbonizimin, të optimizojë më tej energjinë dhe sistemet e transportit dhe të krijojë vende të reja pune.

Ai bëri të ditur veprimet e ndërmarra nga qeveria për të zhvilluar një model ekonomik qarkor në mënyrë që të zvogëlohen emetimet e gazrave, të ruhet biodiversiteti jonë, të ndërtohet një sistem ushqimor i qëndrueshëm dhe të adresohen problemet strukturore të rrënjosura thellë në agrokulturë.

“Kosova e gjeneron energjinë e saj kryesisht nga thëngjilli, me sasi shumë të kufizuara që vijnë nga hidrocentralet dhe era. Hidroenergjia nuk është dëshmuar të jetë miqësore me mjedisin në Kosovë dhe tani për fat të keq ne mbështetemi në qymyr. Kalimi nga qymyri në gaz, pavarësisht se ka një ndikim më të vogël në emetime, është kalim nga një lëndë djegëse fosile në tjetrën. Një që e kemi për një tjetër që nuk e kemi. Në atë rast, do të na duhej ta bënim tranzicionin dy herë,” tha kryeministri Kurti.

Ai ritheksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër dhe për të investuar në atë të ripërtëritshme, si energjia e erës dhe diellit, duke përmendur nevojën për më shumë kohë dhe veçanërisht mbështetje financiare, në mënyrë që ky proces të mos ndërpresë rritjen ekonomike e cila i nxjerr njerëzit tonë nga varfëria.

“Forumi socio-ekologjik Shkupi 2021” është forumi i parë i nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor, që bashkon udhëheqësit progresistë, vendimmarrësit politik rajonal, grupet e mendimit, OJQ-të, udhëheqësit e të rinjve dhe gazetarët për të diskutuar rrugën drejt një Ballkani neutral ndaj karbonit dhe një të ardhme të gjelbër për të gjithë.

Kryeministri për gazin amerikan: Nuk merren kuturu dhe shpejt e shpejt vendimet kaq të mëdha

Lexo më shumë

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Forumin socio-ekologjik në Shkup:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev,

Të nderuar organizatorë të kësaj ngjarje të rëndësishme dhe në kohë të duhur, Friedrich Ebert Stiftung, Olof Palme International Center dhe Progres Institute for Social Democracy,

Të nderuar përfaqësues të qeverisë dhe parlamentit,

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur pjesëmarrës,

Në vitin 1962, për Presidentin John Kennedy misioni ishte i qartë; Shtetet e Bashkuara duhej të shkonin në Hënë, jo sepse ishte e lehtë, por sepse ishte e vështirë. Kur tha ato fjalë, Kennedy e dinte se duke pasur parasysh rrethanat, nuk kishte zgjedhje tjetër. Pra, për shkak se nuk kishte “zgjedhje”, pjesa “e vështirë” duhej bërë.

Sot ne e gjejmë veten në një situatë të ngjashme. Ndryshimi i klimës është fakt dhe kërcënon jo vetëm brezin tonë, por brezat që do vijnë dhe madje edhe vetë planetin.

Ne nuk kemi mundësi zgjedhjeje; ne duhet të veprojmë sot edhe pse është e vështirë. Ne duhet të zvogëlojmë në mënyrë drastike ndotjen; kjo kërkon zgjedhje të vështira dhe të dhimbshme. Është veçanërisht e vështirë sepse duhet të ndryshojmë mënyrën e të bërit biznes.

Përmbytjet e papara, valët e nxehtësisë dhe thatësira e kanë bërë të qartë se ekosistemi nuk mund të trajtohet në mënyrë të pavarur nga sistemi ynë ekonomik.

Ne kemi nevojë për një model të ri të qëndrueshëm ekonomik që i çon vendet tona drejt përparimit social dhe ekologjik dhe përmirëson mirëqenien e njerëzve dhe siguron drejtësi sociale dhe ekonomike; Një model i ri i qëndrueshëm ekonomik që respekton kufijtë ekologjik të planetit tonë.

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane kërkon të vendosë Evropën në rrugën e tranzicionit ekologjik, rritjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse dhe prosperitetit. Një tranzicion i tillë për Evropën mund të jetë efektiv vetëm nëse ndërmerren veprime edhe në rajonin tonë. Bashkimi Evropian tashmë ka prezantuar Agjendën e Gjelbër për rajonin që parashikon Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Por një agjendë e gjelbër kërkon që ne të bëjmë ndryshime të mëdha në ekonominë tonë dhe mënyrën tonë të jetesës.

Ekonomia qarkore, një nga blloqet kryesore të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, është një mjet që mund të na çojë drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike, të na ndihmojë me dekarbonizimin, të optimizojë më tej energjinë dhe sistemet e transportit dhe të krijojë vende të reja pune.

Në qeverinë time ne kemi ndërmarrë veprime për të zhvilluar një model ekonomik qarkor në mënyrë që të zvogëlojmë emetimet e gazrave, të ruajmë biodiversitetin tonë, të ndërtojmë një sistem ushqimor të qëndrueshëm dhe të merremi me problemet strukturore të rrënjosura thellë në agrokulturë. Ky model gjithashtu do të zvogëlojë, ripërdorë dhe menaxhojë mbeturinat tona, dhe do të zhvillojë industri të reja të pastra dhe përfundimisht do të gjenerojë vende të reja pune.

Prodhimi i energjisë dhe transporti brenda qytetit mbeten kontribuesit tanë më të mëdhenj në emetimet e gazrave dhe gjithashtu çojnë në ndotjen e qyteteve tona. Kjo ndikon në shëndetin e qytetarëve tanë me vdekje të parakohshme dhe cilësi të dobët të jetës.

Nuk është pyetja nëse duhet apo jo tranzicioni, por kur dhe si. Është e rëndësishme që modeli që ne do të zgjedhim të jetë i drejtë në aspektin social, të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos ngadalësojë rritjen dhe zhvillimin tonë ekonomik.

Ne kemi nevojë për dysheme të fortë sociale dhe kulm solid mjedisor për shtëpinë tonë në të cilën ne banojmë dhe jetojmë.

Kosova e gjeneron energjinë e saj kryesisht nga thëngjilli, me sasi shumë të kufizuara që vijnë nga hidrocentralet dhe era. Hidroenergjia nuk është dëshmuar të jetë miqësore me mjedisin në Kosovë dhe tani për fat të keq ne mbështetemi në qymyr. Kalimi nga qymyri në gaz, pavarësisht se ka një ndikim më të vogël në emetime, është kalim nga një lëndë djegëse fosile në tjetrën. Njërën që e kemi për një tjetër që nuk e kemi. Në atë rast, do të na duhej ta bënim tranzicionin dy herë.

Këtë javë ne sapo bëmë gjashtë muaj në qeveri, dhe kjo është arsyeja pse ne jemi duke bërë një studim fizibiliteti se si të ecim përpara më së miri për ne dhe rajonin.

Dua të ritheksoj se ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër dhe të investojmë në atë të ripërtëritshme, si energjia e erës dhe diellit dhe në efikasitetin e energjisë duke rimodeluar shtëpitë tona, por ne kemi nevojë për pak kohë dhe veçanërisht mbështetje financiare në mënyrë që ky proces të mos ndërpresë rritjen ekonomike e cila i nxjerr njerëzit tonë nga varfëria.

Faleminderit.

Rizvanolli mban konferencë për shtyp, adreson gazin në tërësi

Lexo më shumë