Search

KOSTT: Sipas planifikimeve nuk do të ketë ndërprerje, problemet e mundshme në Malisheve nuk shkaktohen nga KOSTT

31 Dhjetor, 2021


Edhe KOSTT ka publikuar komunikatën për media me të cilën ka njoftuar qytetarët se bazuar në përgatitjet dhe planifikimet e operatorëve përgjegjës, por edhe mbështetjen nga Republika e Shqipërisë, nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike natën e ndërrimit të motmoteve.

Në komunikatën e lëshuar pak kohë më parë, KOSTT ka thënë se edhe problemet e mundshme në Malishevë të paralajmëruara nga KEDS, nuk janë të ndërlidhura me KOSTT.

‘KOSTT gjithashtu njofton që sa i përket kapaciteteve të sistemit të transmetimit nuk ka fyte të ngushta në asnjë komunë andaj kufizimet eventuale si pasojë e mbingarkesës në rrjetin e distribuimit nëpër komuna përfshirë Malisheva nuk janë të ndërlidhura me KOSTT’, ka thënë KOSTT.

Ndryshe, përmes një komunikate për media të lëshuar pak kohë më parë, KEDS ka njoftuar se ka bërë importin e mjaftueshëm të energjisë elektrike për të mbuluar furnizimin me rrymë në natën e ndërrimit të motmoteve.

KEDS në komunikatë ka thënë se probleme mund të ketë në Malishevë për shkak të kapaciteteve të kufizuara të KOSTT dhe se sfidues mbetet edhe rajoni i Ferizajit, ku mund të ketë mbingarkesa për shkak të rritjes së hovshme të konsumit.

KOSTT ka kërkuar nga të gjithë të kursejnë energjinë elektrike.