Search

KOSTT njofton se do të energjizojë linjën për projektet e erës në Bajgorë

27 Korrik, 2021


Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, KOSTT, ka njoftuar se do të bëjë energjizimin e linjës së re të tensionit të lartë 110 kV që lidhë nënstacionin e KOSTT në Vushtrri me Parkun Energjetik me Erë Selaci.

KOSTT ka thënë se do të bëjë energjizimin sot, më 27 korrik në ora 15:00 dhe ka kërkuar nga gjithë qytetarët që gravitojnë në këto vendbanime që të kenë kujdes, pasi që linja nga momenti i energjizimit paraqet rrezik nga tensioni i lartë.

Ndryshe, para pak kohësh, Kosovo.Energy ka njoftuar se kompania ‘Elektrostublla’ ka përfunduar me sukses ndërtimin e largpërquesit që lidh nënstacionin e ri të parqeve për prodhimin e rrymës nga burime të ripërtëritshme të erës në Bajgorë, me nënstacionin e KOSTT afër Llamkos në Vushtrri.

Në kuadër të projektit të ndërtimit të këtij largpërquesi janë vendosur gjithsej 92 shtylla të llojit J6, J3 dhe J1 në distancë mesatare prej 114 metrash nga njëra tjetra.

Përfundon me sukses ndërtimi i largpërquesit për projektet e erës në Bajgorë

Lexo më shumë

I gjithë procesi i ndërtimit të largpërquesit është mbikqyrur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut – KOSTT, ndërmarrja Notus nga Gjermania përmes inxhinierëve dhe specialistëve, Rexhep Shaqiri nga KOSTT dhe Emira Polloshka nga NOTUS.

Duke bërë lidhjen në mes të nënstacionit në Selac dhe atij në Vushtrri, OHL 110 kV Vushtrri – Selac do të mundësojë shpërndarjen e sasive të prodhuara të rrymës nga era në Bajgorë në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.

Ndryshe, parqet për prodhimin e erës me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh do të sjellin 27 turbinave nga prodhuesi i mirënjohur General Electric në rajonin e Selacit në Bajgorë.