Search

KOSTT: Udhëzuam reduktimin e rrymës deri në stabilizim të situatës

15 Gusht, 2022


Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT ka njoftuar se për shkak të pamundësisë së balansimit të konsumit dhe energjisë së siguruar për mbulim të këtij konsumi nga operatorët në treg, së fundmi janë shkaktuar shumë devijime ndaj sistemit interkonektiv të Evropës.

Reagimi i KOSTT vjen pas fillimit të zbatimit të reduktimeve në vend, sipas udhëzimeve të këtij operatori.

Ata kanë njoftuar se konsumi i energjisë elektrike në Kosovë në këtë periudhë (korrik-gusht 2022) sillet nga 337 MW deri në pikun e ngarkesës prej 792 MW, ndërsa gjenerimi i përgjithshëm i energjisë elektrike në vend aktualisht është rreth 540 MW.

“Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SëissGrid) si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E i kanë tërhequr vërejtjen KOSTT/Kosovës si Zonë Rregulluese, për ndërprjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian.

Konsumi arrinë edhe deri në 792 MW, kërkon nga qytetarët të kursehet rryma

Në përputhje me përgjegjësitë ligjore, KOSTT ka thënë se është i obliguar që të ndërmarr të gjitha veprimet për të balancuar sistemin në varësi nga konsumi, gjenerimi dhe importi i siguruar nga palët përgjegjëse brenda Zonës Rregulluese të Kosovës, për të mos cenuar sigurinë e operimit paralel me rrjetin interkonektiv Evropian.

“Rrjedhimisht, me qëllim të balancimit të sistemit në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit sipas masave dhe procedurave operative që parashihen me Kodin e Rrjetit, KOSTT ka udhëzuar nga sot fillimin e zbatimit të kufizimit në furnizim si masë e fundit, deri në stabilizim të situatës, me qëllim të ruajtjes së integritetit të sistemit dhe kontribuar në balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe të sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale”, ka thënë KOSTT në komunikatë.

KOSTT ka kërkuar mirëkuptim dhe mobilizim të gjithë faktorëve në kohët e krizës energjetike në Kosovë, të shkaktuar nga kriza globale energjetike.

“Krahas angazhimit që po e bëjnë institucionet përgjegjëse, këshillohet edhe kontributi i qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale për aq sa është e mundur”, ka thënë KOSTT në komunikatë.