Search

Kosova larg përmbushjes së parashikimeve të energjisë së rinovueshme

02 Dhjetor, 2022


Kosovarët, të përvuajtur nga restriksionet e energjisë elektrike në mungesë të kapaciteteteve prodhuese të vendit dhe në mungesë të parasë së nevojshme për të importuar energji tepër të shtrenjtë në ditët e acarta, i mirëpritën synimet dhe vizionet e apostrofuara vazhdimisht sivjet nga zyrtarët për të shtuar megavatët e energjisë së ripërtëritshme, por edhe më shumë përcaktimin e afateve, përkatësisht saktësimin e viteve konkrete, që janë goxha të afërta, për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë solare. A do të ketë Kosova deri në vitin 2025 megavatët e premtuar dhe të vijëzuar edhe në dokumentet zhvillimore (500 megavatë) dhe pse po vonohet nisja e një impianti të prodhimit të rrymës në bazë të diellit?

Synimet e vendimmarrësve dhe zyrtarëve në përgjithësi, për të pasur më shumë kapacitetete të energjisë së rinovueshme në Kosovë me qëllim të përmbushjes së objektivave për dekarbonizimin e Kosovës, po qe se bazohemi në ecuritë e deritashme, e sidomos në këtë vit, mbeten vetëm vizione dhe dëshira të mira të paraqitura me fjalë e fjalime joshëse të autoriteteve kosovare. Sepse, sivjet, praktikisht deri në dhjetor, në muajin e fundit të 2022-tës, nuk është bërë asgjë, asnjë veprim i vetëm, së paku për të nisur zbatimin e ndonjë projekti të energjisë së ripërtëritshme. Edhe më tutje, mbetën vetëm fjalë, ndoshta në raste të rralla edhe ndonjë dokument i pluhurosur në sirtarët e zyrave të dikastereve kompetente dhe që e kanë detyrim përmbushjen e objektivave të shpërfaqura nga zyrtarët dhe nga ministrja Artane Rizvanolli, por edhe të parashikuar me Draft – strategjinë energjetike të Kosovës 2022-2031 për ta nisur dekarbonizimin e sektorit energjetik të vendit, dhe në këtë kuadër për të bërë promovimin e energjisë së ripërtëritshme, si parashikim kombëtar në vitet e afërta dhe më të largta të zhvillimit elektroenergjetik të Republikës sonë.

Kosovarët, të përvuajtur nga mungesa e energjisë elektrike në mungesë të kapaciteteteve prodhuese të vendit dhe në mungesë të parasë së nevojshme për të importuar energji tepër të shtrenjtë në ditët e acarta, kur ajo është më shumti e nevojshme, mirëpritën tejmase premtimet e shpërfaqura publikisht të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe të autoriteteve të tjera muaj më parë me rastin e hapjes së konsultimeve publike për Strategjinë e Energjisë 2022-2031, por edhe në shumë raste të tjera gjatë tërë këtij viti, për synimet e pasjes më të shpejtë dhe më shumë energji të gjelbër.

Kosovarët iu gëzuan shifrave të apostrofuara nga zyrtarët për synimet dhe vizionet për të shtuar megavatët e energjisë së ripërtëritshme, por edhe më shumë përcaktimit të afateve, përkatësisht saktësimit të viteve konkrete, që janë goxha të afërta, për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e rinovueshme.

Artane Rizvanollit, jo një herë gjatë 2022-tës ka thanë se Kosova në tri vjetët e ardhshme do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.

“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavat të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”, ka ripërsëritur refrenin e saj ministrja.

Ajo ka saktësuar se deri në vitin 2031 do të arrijnë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore. Ministrja Artane Rizvanolli muaj më parë kishte shpalosur edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur.

Ndër të tjera, ajo ka sqaruar se integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krijuar 340 megavatë orë rezervë të energji elektrike. Mjaft ambicioz ishte edhe synimi i bërë publik nga ministrja se “deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotja nga termocentralet të ulet për së paku 32 për qind”.

Këto, gjithësesi, ishin synime ambicioze për Kosovën e vogël dhe të brishtë financiarisht dhe si të tilla të mirëpritura zemërgjërsisht nga opinioni kosovar, i hequr keq nga restriksionet e ashpëra dhe të vrazhda nga mungesat evidente të energjisë elektrike. Por, çka është bërë sivjet, për t’u përmbushur këto synime për të pasur energj të rinovueshme në vitet në vijim, ose për të pasur 500 megavatë më 2025, siç ka proklamuar shumë herë sivjet ministrja Rizvanolli?

Për fat të keq, në përmbyllje të këtij viti, mund të konstatohet se praktikisht asgjë deri tash nuk është bërë në Kosovë për t’u përmbushur objektivat e synuara të prodhimit të energjisë së rinovueshme, ose opinioni nuk është i njoftuar për ndonjë aktivitet të dobishëm dhe të efektshëm që është bërë për të nisur së paku ndonjë projekt – kapacitet i energjisë së rinovueshme. Ndërsa është fare e ditur, se kapaciteti elektroenergjetik, qoftë nga dielli, qoftë nga era, nuk mund të ndërtohet dhe të jetë i gatshëm brenda çastit. Duhet goxha kohë e vite për ta ndërtuar një impant energjetik, qoftë sish solar, qoftë nga dielli. Duhen shumë përgatitje para se të fillojë ekzekutimi i punimeve dhe pastaj goxha kohë derisa të finalizohet kapaciteti i energjisë së rinovueshme, qoftë edhe më i thjeshti. Për këtë dëshmon ngritja e parkut të energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës, i cili është ndërtuar dhe financuar nga investues të fuqishëm ndërkombëtarë dhe me traditë në këtë fushë, por që zgjati përafërsisht tre vjet të plota.

Se si do të ketë Kosova 500 megavatë-orë të energjisë së rinovueshme deri më 2025, sa kanë premtuar zëshëm zyrtarët dhe ministrja Rizvanolli, kohë kjo kur kanë mbetur edhe 2 vjet, ndoshta është mirë ta shpjegojnë ata. Por, në bazë të ecurive të realizimit të investimeve të deritashme në Kosovë, është vështirë dhe thuaja e pamundshme që deri më 2025 të kemi plus 300 megavatë energji të rinovueshme (200 megavatë i kemi deri tash bashkarisht me hidrocentralet e vogla dhe parqet e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Po duket se edhe kësaj radhe, megjithë premtimet goxha bindëse të autoriteteve në këtë periudhë, nuk do të përmbushet parashikimi për megavatët e shpresës. Thjesht, edhe kësaj radhe Kosova është vonuar goxha shumë për t’ia nisur një projekti të premtuar, sidomos nga ato solaret, qoftë edhe 100 megavatësh. Janë vonuar procedurat përgatitore, finalizimi i projekteve në letër dhe i tërë procesi i nevojshëm për t’ia nisur sendërtimit të një kapaciteti të energjisë së rinovueshme. Detajet, aq të rëndësishme për një projekt të këtillë (të energjisë solare, pra), siç tha këto ditë ministrja Rizvanolli, duke përfshirë edhe kapacitetet që do të ndahen, ende nuk janë vendosur.

Ministrja Artane Rizvanolli ka ripërsëritur së fundi se qeveria mëton të sjellë procese konkuruese dhe transparente të ankandeve për zhvillim të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, në të cilat mund të aplikojnë investitorët e interesuar.

“Ne kemi thënë që nga dita e parë që investitorët do të konkurojnë në ankande, në mënyrë transparente. Çmimi më i lirë do të fitojë dhe ne do ta blejmë atë energji për konsumatorët tonë. Ankandin e parë do ta lansojmë sivjet në dhjetor për energji solare, ndërsa për energji të erës, ankandin do ta lansojmë vitin tjetër”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja ka shtuar se ankandi i parë për burime solare do të bëhet për 100 megavat orë kapacitete, ndërsa kapacitete të njëjta pritet të ndahen edhe për burimet e erës. Mbetet të shihet se a do të bëhet ankandi i parë për kapacitete solare në këtë muaj, edhe pse ankandet e akceptuara nga ministrja kanë mundur të bëhen shumë më herët, më muaj më përpara, për të qenë ky vit nismëtar i realizimit të një projekti të energjisë në bazë të diellit. Ndërsa, zvarritja për të bërë këto ankande, do ta shtyjë edhe më tej nisjen eventuale të punëve për ndërtimin e këtij kapaciteti solar kaq të përfolur tashmë nga zyrtarët.

Pse po vonojnë punët e domosdoshme përgatitore për ta pasur një kapacitet të ri të energjisë së rinovueshme, kur dihet se realizimi i tij nuk është i pamundur megjithë sfidat e panumërta, të cilat i presin bartësit e këtyre projekteve të synuara?

Për t’i përmbushur objektivat e Strategjisë, duhet përkushtim, angazhim i madh dhe i sinqertë i përgjegjësve dhe shpenzim maksimalisht racional i parave të dedikuara për fazat parapërgatitore dhe përgatitore për projektet e pritshme të energjisë së rinovueshme që do të nisin të ndërtohen. Vendimmarrësit, kaherë është dashur të reflektojnë se ekipet, bartëse të ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë së rinovueshme, duhet të kenë njerëz të aftësuar, që njohin trendet më të reja teknologjike të enerjisë së ripërtëritshme, të jenë menaxherë të zotët dhe të dëshmuar në investimin dhe qeverisjen e parasë publike. Natyrisht, paraprakisht duhet siguruar paratë e nevojshme për ndërtimin e këtyre projekteve, për të cilat, së paku deri më tash, bota dhe institucionet monetare ndërkombëtarenë shumicën e herave nuk janë treguar dorështrënguar. Përkundrazi, ata deri tani janë treguar dorëlirë për të financuar të gjitha projektet e mira dhe të bindshme të energjisë së rinovueshme. Duhet kërkuar gjithandej ndër institucionet monetare ndërkombëtare me ngulmë paratë për këto projekte. Ndërsa, për t’i bindur investitorët e parave duhet t’u serviren projekte atraktive, të finalizuara deri në detaje dhe të jenë joshëse për ta. Këtë, patjetër, do të duhej ta kenë parasysh institucionet tona që janë të angazhuara për ngritjen e kapaciteteve të synuara të energjisë së gjelbër. Dhe, po qe se realizohen këto që u thanë më lartë, Kosova ka mundësi reale të përbushë, së paku pjesërisht objektivat e Strategjisë energjetike 2022-2031 edhe për faktin se tashmë po del dhe po shihet se ka resurse reale të natyrës për të ndërtuar këto kapacitete të reja, qoftë të bazuara te era, qoftë te dielli, përkundër jo pak paralajmërimeve skeptike për mundësi të reduktueshme të Kosovës si rrjedhojë e mungesës së resurseve natyrore për energji të gjelbër.

Gjithsesi, projekti i paralajmëruar para pesë-gjashtë muajsh me emërtimin “Solar4Kosova”, nëse do të llogaritet si kapacitet-pjesë e Strategjisë energjetike 2022-2031, do të ishte një nismë e mirë dhe e shpejtë e ‘startit’ të suksesshëm për përmbushjen e synimeve. Do të ishte, pra një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.

Një nismë e mirë e ndërtimit të kapaciteteve të rinovueshme, nëse edhe kjo vlerësohet në kuadër të Strategjisë, do të ishte edhe projekti i bërë publik kohë më parë nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, se KEK planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e deponisë së djerrinës të termocentralit Kosova A. Dhe për këtë iniciativë, tashmë nga ana e KEK-ut janë dërguar propozime në Ministrinë e Ekonomisë. Ndërsa, tashmë, pas shpalljes së synimeve dhe objektivave të draft-strategjisë energjetike 2022-2031 për dekarbonizimin e Kosovës dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, shteti e pushteti i Kosovës, duhet shpejtuar, me urgjencë duhet shkurtuar procedurat e stërgjatura të kërkuara deri më tash për të nisur kapacitet e reja elektroenergjetike alternative, qoftë solare, apo në bazë të erës. Dhe, sipas ekspertëve, sado që Kosova, nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potente të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta.

Pak më shumë mundësi për energji të rinovueshme kemi te ndërtimi i turbinave me erë. Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden, ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavatë-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavatë. Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës. Vlerësohet se deri tash në të gjitha këto vende të identifikuara për mundësi ndërtimi të turbinave me erë dhe të vendeve të paidentifikuara saktësisht, por që japin sinjale të bollshme dhe bindëse për mundësinë e instalimit të turbinave me erë, mund të arrihen diku rreth një mijë megavatë energji elektrika nga era. Por, në rrjet duhet të llogaritet gjysma e më pak e këtyre megavatëve, pasi që te ne këto kapacitete për shkak të mungesës së erërave dhe të natyrës së fryrjes së erës, nuk mund të prodhojnë me fuqinë e instaluar.

Kjo është gjendja aktuale sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe potencialeve për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme. Nuk është e shtruar me lule kjo situatë. Duket madje goxha e zymtë, vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga ministrja Rizvanolli, por, gjithsesi, nuk është e pamundur. Në radhë të parë duhet ta kemi të qartë çka po duam. Pastaj, me nguti dhe pa humbur asnjë orë, t’i përkushtohemi gjetjes së alternativave për t’i realizuar parashikimet e draft-strategjisë… S’ka zgjidhje tjetër. Tani, nuk ka më kohë për pritje dhe kalkulime. Shpejt Kosova mund të mbetet edhe më shumë pa energji elektrike, nëse nuk ndërmerret hapi i nevojshëm, i mençur dhe i analizuar detajisht edhe për ruajtjen e ambientit, edhe për koston financiare, edhe për plotësimin e nevojave të konsumit kosovar me energji elektrike. Pa këtë hap nuk krijohet “rruga e re energjetike”, e paralajmëruar që nga fillimi i këtij viti nga ministrja Rizvanolli, “nëpër të cilën Kosova do të ecte për ta bërë sistemin energjetik më të pastër, më të besueshëm e më të decentralizuar”.

/Buletini Ekonomik