Search

Komuna e Vitisë nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për subvencionimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat e banimit

15 Prill, 2021


Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) ka nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi për subvencionimin e shtesave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat e banimit.

Është bërë e ditur që këtë rradhë komuna e Vitisë do të jetë ajo që do të përfitojë mbështetje financiare për riparimet e ndërtesave banesore me qëllim të përmirësimit të masave për efiçiencë të energjisë në sektorin rezidencial, përmes Programit “Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë-SEEK” të MFK-së.

Sipas njoftimit, Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK) ishte përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Petrit Selimi, ndërsa Komuna e Vitsë, është përfaqëusar nga Kryetari Sokol Haliti, teksa nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të formalizuar bashkëpunimin me qëllim të implementimit të projektit për Riparimet e Efiçiencës së Energjisë në Ndërtesa Banesore (AER) në këtë komunë.

Në kuadër të këtij projekti, MFK deri tani ka lidhur Memorandume Mirëkuptimi me 4 Komuna të tjera: Prishtinën, Lipjanin, Mitrovicën dhe Novo Bërdën. Janë gjithsej 7 komuna që janë përzgjedhur nga Banka Botërore, për të përftuar investime nga ky projekt.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës do të investojë 20 milion euro në masa të efiçiencës së energjisë për 700 njësi kolektive banimi dhe 2800 shtëpi individuale në Kosovë. Duke investuar në masa të efiçiencës së energjisë, MFK do të zvogëlojë konsumin e energjisë elektrike për qëllime të ngrohjes si dhe do të vetdijësojë konsumatorët për masat e kursimit të energjisë si dhe mbi përfitimet tjera afat-gjate.

Marrëveshja e Mirëkuptimit do të sigurojë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet MFK dhe Komunës së Vitisë në përpjekjet për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë, duke rritur kapacitetet e strukturave organizative dhe duke përmirësuar masatë e efiçensës së energjisë në komunë përmes incentivave për përmirësimin e masave për ruajtje të energjisë.

Me këtë rast, kryetari Sokol Haliti shprehi mirënjohjen e tij drejt MFK dhe MCC për investimet në komunën e Vitisë.

“Këto investime kanë një ndikim të madh në ekonomitë familjare, respektivisht në zhvillimin e vetëdijes qytetare për kursim të energjisë dhe në zvoglimin e ndotjes së ambientit.”- u shpreh Kryetari Haliti.

Drejtori ekzekutivi i MFK, Petrit Selimi, theksoj që “Aktivitetet për përmirësimin e efiçensës së energjisë për shtëpitë dhe ndërtesat e banesave në Kosovë do të kenë një ndikim direkt në kushtet ekonomike të njerëzve, dhe do të ndihmoj institucionet e Kosovës të krijojn një mekanizëm afatgjatë në uljen e konsumit të energjisë në nivelin e amvisërisë”, tha ai.

Drejtoresha e MCC për Kosovë, Sarah Olmstead, theksoi se MCC është e kënaqur që Marrëveshja e Mirëkuptimit është nënshkruar sot, duke përfaqësuar majat e një bashkëpunimi me këtë komunë.

“Mezi presim të shohim punët të fillojnë së shpejti për të përmirësuar komoditetin dhe efiçensën e ndërtesave banesore në Viti”, tha Olmstead.

Subvencionet për Efiçiencën e Energjisë në Kosovë – SEEK

Projekti për subvencione në efiçiencë të energjisë është aktivitet që zbatohet nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës, që është autoriteti përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes në vlerë prej 49 milion dollarësh amerikan të nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit në 2017.

Misioni i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës është të përshpejtojë tranziconin e Kosovës në pavarësi energjetike dhe qeverisje të mirë.

Programi i MFK adreson dy sfida kryesore të rritjes ekonomike të Kosovës, atë të furnizimit jo të besueshëm me energji elektrike si dhe sfidën e perceptuar në sundimin e ligjit, llogaridhënies dhe transparencës së Qeverisë.