Search

Komuna e Podujevës kundërshton ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandolli

03 Mars, 2021


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në debatin publik për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandolli në pjesën e Komunës së Vushtrrisë dhe Podujevës.

Në debatin e sotëm me përfaqësues të Kompanisë “Hidrocom” sh.p.k., përfaqësues të komunitetit, grupeve të interesit, anëtarë të ekzekutivit të Komunës së Podujevës, kryetari Shpejtim Bulliqi tha se kompania “Hidrocom” sh.p.k., duke shpërfillur plotësisht vendimet e Komunës, e cila dy herë ka refuzuar ta pajisë këtë kompani me leje mjedisore, ka marrë pëlqim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) për realizimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit, në rrjedhën e lumit Kaçandolli, në territorin e Komunës së Podujevës.

Bulliqi: Komuna ka refuzuar dy herë kërkesën për leje mjedisore për këtë hidrocentral

“Kompania në mënyrë të njëanshme, duke bashkëpunuar vetëm me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe pa lejen e Komunës së Podujvës, për të cilën është refuzuar dy herë, ka filluar procedurat e realizimit të projektit. Prandaj edhe na ka detyruar neve si Komunë të ushtrojmë padi për ta kundërshtuar formën arbitrare të dhënies së këtij pëlqimi mjedisor nga MEA”, tha kryetari Bulliqi.

Sot në ora 11:30 mbahet debati publik për hidrocentralin në Kaçandoll

Lexo më shumë

Kryetari Bulliqi tha se edhe forma e organizmit të këtij dëgjimi publik, krejt formale dhe pa bashkëpunim me banorët e këtyre fshatrave, është tregues i qartë i përpjekjes për fillim të heshtur të realizimit të këtij projekti, i cili dëmton ambientin-pasurinë natyrore të këtyre fshatrave.

“Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë projekt, për të cilin kemi edhe përkrahjen e banorëve të kësaj pjese. Orientimi ynë është që për këto zona të ofrojmë investime që përmirësojnë infrastrukturën dhe nxisin investime në zhvillimin dhe promovimin e turizmit dhe asesi nuk lejojmë projekte që shkaktojnë degradim mjedisor”, tha kryetari Bulliqi.

Hidrocom: Debati u organizua sipas legjislacionit në fuqi, pëlqimi mjedisor sipas kritereve të ministrisë

Edhe përfaqësuesi i fshatit Popovë, Muhamet Murati, në emër të banorëve të fshatrave përgjatë lumit Kaçanoll, tha se në asnjë rast nuk është konsultuar komuniteti dhe shprehu kundërshtimin e tyre për realizmin e këtij projekti, i cili bie ndesh edhe me Strategjinë lokale për zhvillim të Turizimit, strategji për të cilën kanë kontribuar këta banorë.

Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë, “Hidrocom” sh.p.k., Adnan Elshani, tha se kompania në fjalë sipas legjislacionit në fuqi ka organizuar këtë debat.

Ai tha pëlqimi mjedisor është marrë sipas kritereve të ministrisë.

Ministria publikon raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis për dy hidrocentrale të reja

Lexo më shumë