Search

Kompania më e madhe e qymyrit në botë fillon projekte solare

24 Mars, 2021


Kompania më e madhe e mihjes së qymyrit në botë ka thënë se do të vazhdojë në mënyrë agresive zhvillimin e projekteve energjetike solare dhe mbylljen e minierave të vogla të qymyrit.

Coal India Limited (CIL) ka planifikuar të investojë në një projekt me 3,000 megavat kapacitete solare energjetike në bashkëpunim me kompaninë shtetërore NLC India. Projektet pritet të sjellin 1.71 miliard dollarë amerikan investime.

Kompania ka thënë se do të garojë në ankandet e hapura solare të Indisë duke ofertuar çmimin më të lirë për energji të pastër.

Planet e fundit të CIL shënojnë ndryshim të madh për këtë kompani, ndërsa e njejta vazhdon të prodhojë shumicën e sasive të qymyrit në Indi.

‘Ashtu sikurse edhe jeni të njoftuar, ne duhet të përfundojmë projektet me qymyr në dy apo tre dekadat në vijim. Energjia solare do të mbizotërojë qymyrin si burimi kryesor për furnizimin me energji elektrike në vitet në vijim’, ka thënë kryetari i CIL Pramod Agarual në një intervistë me Reuters.

CIL ka mbyllur 82 miniera të qymyrit në tre vite dhe ka zvogëluar fuqinë punëtorë për 18,600 të punësuar.

Agarual ka thënë se pret edhe më shumë zvogëlim të fuqisë punëtorë ndërsa kursimet do t’i investojë në prodhimin e energjisë përmes burimeve solare.

Transformimi energjetik i Indisë

Për momentin, India përdorë rreth një milliard ton qymyr në baza vjetorë. Kësisoji, ajo është e dyta në listën e shteteve në botë për konsum të qymyrit.

CIL është prodhuesi më i madh në Indi i qymyrit. Kompania ka thënë se planifikon të prodhojë 710 milion ton qymyr në vitin 2020 – 2021, vlerë kjo më e madhe se e gjithë sasia e qymyrit e prodhuar nga të gjitha kompanitë e qymyrit në SHBA në vitin 2019.

India është duke shpresuar të ndryshojë miksin energjetik në vitet në vijim, me qëllim të plotësimit të synimeve klimatike.

India është nënshkruese e marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike dhe është përkushtuar të zvogëlojë emetimet për 35 për qind deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e rexhistruara në vitin 2005.

Vitin e kaluar, pas shumë dekadave niveli i emetimeve në Indi ka shënuar rënie për herë të parë.

Edhe pse kriza pandemike ishte ndër arsyjet kryesore për ulje të emetimeve, ekspertët besojnë se edhe kërkesa më e vogël për qymyr ishte një ndër faktorët kryesor.

India shpreson të prodhojë 175 gigavat kapacitete të energjisë së ripërtëritshme deri në fund të vitit tjetër, ndërsa ka planifikuar 450 gigavat kapacitete deri në fund të kësaj dekade.