Search

Komisioni Evropian: Serbia dhe Bosna kanë rritur prodhimin e rrymës nga qymyri në 2020

14 Prill, 2021


Ndërsa prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri dhe linjiti vitin e kaluar në BE ka rënë për 22 përqind, Serbia ka rritur prodhimin e rrymës nga qymyri për 4% dhe Bosna dhe Hercegovina për 8%, ka thënë Komisioni Evropian.

Përqindja e pjesëmarrjes së energjisë së ripërtëritshme në miksin energjetik të Bashkimit Evropian në vitin 2020 ka arritur në 39%, duke tejkaluar qymyrin që kishte vetëm 36% për herë të parë.

Raporti i Komisionit Evropian thotë se kriza pandemike dhe kushtet e mira klimatike kanë ndikuar dukshëm në rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në miksin energjetik.

Në këtë kontekst, prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri dhe linjiti në BE ka rënë për 22% ndërsa cmimet e larta të karbonit e kanë bërë të pamundur operimin e termocentraleve që përdorin këtë lëndë për prodhimin e rrymës.

I njejti raport i Komisionit Evropian ka vlerësuar se në Serbi dhe Bosne dhe Hercegovinë, ku kompanitë prodhuese të rrymës nuk paguajnë cmime të larta karboni, prodhimi i rrymës nga linjiti dhe qymyri është rritur përkatësisht me 4% dhe 8%.

Duhet theksuar se të dy vendet kanë importuar pak më shumë energji elektrike nga BE sesa kanë eksportuar.

Serbia bën pjesë në tregun e shitjes me shumicë të Evropës Juglindore, bashkë me Bullgarinë, Kroacinë dhe Greqinë.

Pjesëmarrja e linjitit në miksin rajonal energjetik ka rënë në 33%, nga 38% sa ishte më herët pasi Greqia është duke zëvendësuar kapacitetet e qymyrit me gaz apo erë.

Edhe Bullgaria ka ndjekur këtë trend. Si rrjedhojë, pjesëmarrja e gazit në miksin energjetik rajonal që përfshinë katër vendet është rritur në 18%, nga 16% sa ishte një vit më herët.

Për shkak të më shumë erërave dhe konsumit më të ulët të rrymës në Greqi, pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në treg është rritur në 34%, nga 31% sa ishte më herët.