Search

Komisioni Evropian fillon hetime ndaj Gjermanisë rreth ndihmës shtetërore për qymyrin

22 Prill, 2021


Gjatë ditës së djeshme, Komisioni Evropian ka konfirmuar se do të fillojë hetimet mbi paketën miliardëshe të ndihmës që Gjermania po planifikon për korporatat e linjitit – LEAG dhe RWE.

Komisioni Evropian shprehu dyshime mbi pajtueshmërinë e pakos së kompensimit të propozuar nga Gjermania me rregullat e ndihmës shtetërore dhe qëllimet klimatike të BE-së, si dhe mbi përshtatshmërinë e kësaj pakoje karshi kushteve aktuale të tregut për energjinë nga linjiti.

Ndryshe, një numër organizatash jo-qeveritare dhe përfaqësues të grupeve ambientaliste nuk janë pajtuar me pakon e propozuar nga Gjermania për kompensime për industrinë e linjitit.

Ata kanë kërkuar nga Komisioni Evropian të fillojë hetimet mbi këtë, mbi dyshimet se pako e propozuar e Gjermanisë është në kundërshtim me rregullat e BE-së për ndihmë shtetërore.

Gjermania planifikon të ofrojë kompensime në vlerë prej 4.35 miliardë eurosh për kompanitë RWE dhe LEAG për të nxitur ato të largojnë përdorimin e linjitit për prodhim të energjisë elektrike.

Në dhjetor, Gjermania kishte arritur marrëveshje me kompaninë RWE dhe LEAG, njëkohësisht edhe operuesit më të mëdhenj me termocentrale dhe miniera të linjitit në Gjermani.

Këtë Gjermania e kishte bërë në përpjekje për të larguar përdorimin e qymyrit deri më 2038.

Komisioni Evropian ka thënë se është i shqetësuar me proporcionalitetin e kompensimeve dhe fitimeve të deklaruara të operatorëve dhe nëse kjo është në përputhje me rregullat e BE-së. Ata kanë thënë se janë të shqetësuar edhe mbi parametrat e përdorur nga Gjermana për të kalkuluar këto të ardhura.

‘Roli ynë është të kujdesemi që kompensimet e dhëna për operatorët që largojnë më herët linjitin nga përdorimi të jenë sa më të vogla që të jetë e mundur’, ka thënë komisionerja e BE-së për konkurrencë Margrethe Vestager.

Përvec kësaj, ata kanë thënë të jenë shqetësuar edhe me kompensimet për shpenzime shtesë për rehabilitim të minierave.

‘Informatat që kemi për momentin nuk na lejojnë të konfirmojmë këto informata, andaj edhe do të organizojmë hetime shtesë për këtë cështje’, ka thënë Vestager.