Search

Këto janë projektet madhore të BE’së në Ballkan, ndër to edhe projektet energjetike

07 Tetor, 2020


Komisioni Evropian ka dhënë detaje mbi projektet madhore si pjesë e një plani gjithëpërfshirës ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili është miratuar sot.

Janë gjithsej dhjetë projekte madhore investimesh që kanë të bëjnë për mbështetjen e lidhjeve kryesore rrugore dhe hekurudhore në rajon, energjisë së ripërtërishme dhe tranzicionit nga qymyri, rinovimit të ndërtesave publike dhe private për efiçiencën e energjisë dhe për të zvogëluar emetimet e gazeve serë, infrastrukturës së menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave të ndotura, si dhe për futjen në përdorim të infrastrukturës së rrjetit brezgjerë.

Në kuadër të projekteve të energjisë së ripërtëritshme, në Kosovë BE do të investojë në përshpejtimin e përgatitjeve për ndërtimin e Fazës II të Sistemit Hidrik Ibër – Lepenc.

Në vendet në rajon, BE do të investojë në ndërtimin dhe rehabilitimin e disa hidrocentraleve në Shqipëri dhe Mal të Zi, deri sa Maqedonia do të përfitojë nga investime në burime të ripërtëritshme të erës dhe solare.

Një nga projektet e listuara është edhe ndërtimi i interkonesionit të gazit Maqedoni e Veriut – Kosovë, si dhe investimet për vazhdimin e interkoneksionit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Në kuadër të këtij projekti, Kosova do të bëhet pjesë e rrjeteve rajonale të gazsjellësit.

Lista e plotë e projekteve energjetike të BE-së për gjithë rajonin:

PROJEKTI MADHOR 4 – ENERGJIA E RIPËRTËRISHME

  • Do të përfundohet rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri dhe do të avancohet ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës, në mënyrë që të rritet potenciali për vendin dhe përfundimisht edhe për rajonin, me qëllim rritjen e eksportit të energjisë elektrike nga energjia e pastër.
  • Do të zgjerohet Sistemi Hidroenergjetik Piva në Malin e Zi me fillimin e ndërtimit të hidrocentralit të Komarnicës.
  • Do të përshpejtohen përgatitjet për ndërtimin e Fazës II të Sistemit Hidrik Ibër-Lepenc në Kosovë.
  • Do të avancohen në mënyrë substanciale investimet në centrale me energji të erës dhe energji diellore në Maqedoninë e Veriut, dhe këto do të shërbejnë si shembull për investime në të ardhmen, duke përdorur potencialet e energjisë së ripërtërishme të rajonit.

PROJEKTI MADHOR 5- TRANZICIONI NGA QYMYRI

  • Si pjesë e Gazsjellësit Trans Adriatik, do të përfundohet ndërtimi i gazsjellësit Fier-Vlorë në Shqipëri, dhe do t’i jepet prioritet gazsjellësit Jon-Adriatik përgjatë bregdetit, duke lehtësuar diversifikimin madhor të burimeve të furnizimit me gaz në Rajonin e Ballkanit Perëndim dhe më gjerë
  • Do të përfundohet Interkoneksioni i Gazit Bosnjë dhe Hercegovinë-Kroaci, duke e plotësuar diversifikimin e mësipërm dhe duke rritur potencialin dhe diversifikimin e sistemit ekzistues të shpërndarjes së gazit në vend
  • Do të fillojë ndërtimi i Interkoneksionit të Gazit Maqedoni e Veriut-Kosovë, dhe do të zgjerohet investimi në vazhdim për Interkoneksionin Maqedoni e Veriut-Greqi.
  • Do të përgatitet për ndërtim Interkoneksioni i Gazit Maqedoni e Veriut-Serbi.
  • Do të përfundohet Korridori Trans-Ballkanik i Transmisionit të Energjisë Elektrike në Serbi si pjesë e interkoneksionit mes Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, duke siguruar kështu shtyllën kurrizore për shpërndarjen e energjisë elektrike në mbarë rajonin dhe drejt BE-së.