Search

KESCO: Vetëm 7 për qind e konsumatorëve u prekën nga tarifat e reja për muajin shkurt

03 Mars, 2022


Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se në bazë të analizave të bëra për faturat e shkurtit, rreth 93 për qind e konsumatorëve nuk janë afektuar fare me tarifat e reja të energjisë elektrike.

KESCO thotë se kjo ka ndodhur edhe për shkak se njehsimi i faturave me tarifa të reja kishte filluar nga data 9 shkurt.

“Kjo ka ndodhur pasi KESCO me miratim të ZRRE-së, në faturat e muajit shkurt, më datën 9 shkurt njehsimin e ka filluar nga 0 kWh dhe kjo ka bërë që 93% e konsumatorëve të mos preken nga çmimet e reja, sepse konsumatorët nuk e kanë tejkaluar 800kWh, që është njehsuar me tarifat e vjetra, të para datës 9 shkurt”, njofton KESCO.

Mirëpo, tashmë ka filluar periudha kur janë në fuqi tarifat e reja, me çmime të reja, dhe iu bëhet apel konsumatorëve të kenë kujdes në kontrollimin e shpenzimeve.

“Dihet që tashmë, për të gjithë konsumatorët e amvisërisë bllok-tarifa fillon nga shpenzimi mbi 800kWh. Në këto rrethana, lusim konsumatorët të kenë kujdes maksimal në kontrollimin e shpenzimit, pasi për shpenzimet mbi këtë sasi tarifat janë dukshëm më të larta”.

Lidhur me aplikimin e tarifave të reja dhe për t’i ndihmuar konsumatorët që të mos e kalojnë pragun e bllok-tarifës, KESCO thotë se do të zhvillojë edhe një fushatë ndërgjegjësimi që nis këtë muaj.

“Çmimet e energjisë elektrike janë rritur ndjeshëm si pasojë e rritjes së tyre në berzat ndërkombëtare, ku në fund të vitit u shënua deri në dhjetëfishin e tyre, krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve paraprake. Nga këto nuk mundi të shpëtojë as Kosova, pasi është vend importues, ku një sasi e konsiderueshme e energjisë elektrike duhet të sigurohet nga importi gjatë periudhës së dimrit, kur edhe kërkesa në Evropë është më e larta dhe rrjedhimisht edhe çmimi”, vijon tutje njoftimi i Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike.

Përdorimi i energjisë elektrike në mënyrë efiçiente dhe i formave alternative të ngrohjes, ul varësinë nga importi dhe rrjedhimisht edhe ndikimin e çmimeve globale të saj te ne.