KEK fillon procesin e modernizimit të njësis A3 në termocentralin Kosova A
November 14, 2025

Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, njoftojmë se është zhvilluar me sukses faza e parë e aktivitetit të prokurimit për projektin madhor “Rehabilitimi dhe modernizimi i njësisë A3 në TC Kosova A”.
Ky projekt përbën një nga investimet të rëndësishëm në sektorin energjetik të vendit, me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe zgjatjen e jetës operacionale të njësisë prodhuese A3 të Termocentralit “Kosova A”.
Aktiviteti i prokurimit është publikuar më 23.01.2025, përmes procedurës konkurruese me negociata, ndërsa afati fillestar për dorëzimin e aplikacioneve ka qenë 03.03.2025.
Duke marrë parasysh rëndësinë e projektit dhe kërkesat shtesë të operatorëve ekonomikë, afati është shtyrë katër herë, deri më 04.07.2025.
Më 27.06.2025, një operator ekonomik ka dorëzuar kërkesë për rishqyrtim, e cila është refuzuar nga Autoriteti Kontraktues për mungesë të pretendimeve të qarta ankimore.
Më pas, më 01.07.2025, i njëjti operator ka paraqitur ankesë në OSHP, e cila, me vendim të datës 10.07.2025, është hedhur si e palejuar, duke i hapur rrugë vazhdimit të procesit të prokurimit.
KEK anulon tenderin për rehabilitimin e Kosovës B – A janë kompanitë kineze fajtore?
Afati për dorëzim të aplikacioneve është caktuar më 17.07.2025, ku janë pranuar gjithsej pesë aplikacione nga konsorciume me pjesëmarrje të operatorëve ekonomikë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Procesi i hapjes së aplikacioneve është zhvilluar përmes transmetimit të drejtpërdrejtë, duke shënuar një standard të ri të transparencës dhe llogaridhënies publike në aktivitetet e prokurimit të KEK.
Komisioni vlerësues i KEK, nga pesë konsorciume, ka përzgjedhur tre konsorciume të kualifikuara, të cilat janë
- Grupi i operatorëve ekonomik KEPCO Plant Service & Engineering Co., LTD; DYPNF Co., Ltd.; BHI Co., Ltd., 211 Munhwa-ro, Naju-si, Jeollanam-do, Republika e Koresë
- Grupi i operatorëve ekonomik HIB PETROL SH.P.K.; Florian Viqa; NTPC Limited, Magjistralja Prishtinë–Shkup, km 7, Çagllavicë, Kosovë
- LIMAK INŞAAT SANAYI ve TICARET A.Ş., Hafta Sokak No: 9, 06700, Gaziosman Paşa – Ankara, Turqi
KEK sh.a. thekson se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP) dhe me Rregullat dhe Udhëzuesin Operativ për Prokurimin Publik (RRPP), duke garantuar transparencë të plotë, konkurrencë të ndershme dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës.
Korporata mbetet e përkushtuar të vazhdojë me profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi institucionale zhvillimin e projekteve strategjike që kontribuojnë në modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe në forcimin e sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës.