Search

KEDS: Aktualisht po importojmë energji me çmim mbi 300 euro për megavatë në orë

12 Janar, 2022


Përpos krizës energjetike me të cilën është duke u përballur Kosova, moti i ftohtë e me acar ditëve të fundit, ka shtuar edhe më tej nevojën e konsumatorëve për shpenzim edhe më të lartë të energjisë elektrike për ngrohje.

Si rrjedhojë është rritur edhe konsumi i energjisë elektrike, ku sipas KEDS-it, brenda 24 orëve janë duke u konsumuar mbi 22 mijë magavatë në orë energji eletrike, ndërsa në kohën e pikut, konsumi është duke shkuar deri në 1250 megavatë në orë.

Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë kompani, ka treguar për Buletinin Ekonomik se importi i energjisë në këtë kohë varet nga ora në orë, pasi edhe konsumi ndryshon vazhdimisht, derisa ka shtuar se KEDS është duke importuar energji në kohën e pikut, i cili po zgjatë për një periudhë relativisht të gjatë, gjatë ditës.

“Aktualisht brenda 24 orëve janë duke u konsumuar mbi 22 mijë magavatë/orë energji elektrike, ndërsa në pik po shkon deri në 1250 megavatë/orë”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it.

Ndërsa sa i përket çmimit të importit të energjisë, Buzhala tha se çmimi në Bursën Hungareze të Energjisë është duke ndryshuar nga dita në ditë, por që çmimi varet edhe nga lloji i energjisë që KEDS importon. Por, aktualisht, siç edhe theksoi ai, po importohet energji me çmim mbi 300 euro për megavatë në orë.

Nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) kanë thënë tutje se në kushtet e motit të acartë dhe me erë, ka vështirësi në operim të sistemeve, mirëpo sipas tyre, situata është duke u përballuar mirë dhe se nuk ka ndonjë prishje të madhe që zgjat. Ata shpjeguan se aktualisht janë duke u furnizuar me energji elektrike mbi 99 për qind të konsumatorëve.

Gjithashtu, në rastet e prishjeve të mundshme të rrjetit, KEDS shton se mbi 700 punëtorë janë të angazhuar vazhdimisht në terren, me synimin që “operimet e rrjetit të jenë në nivelin optimal”.

//Buletini Ekonomik