Search

Investimet e EIB në Ballkanin Perëndimor në vitin 2022 arritën vlerën 824 milionë euro

28 Shkurt, 2023


Banka e BE-së, nën degën e saj të dedikuar për aktivitetet jashtë Bashkimit Evropian – BEI Globale investoi 824 milionë euro në të gjithë Ballkanin Perëndimor në vitin 2022, me qëllim përshpejtimin e qëndrueshmërisë, mjedis të pastër, tranzicion të gjelbër, digjitalizim dhe rritje të sektorit privat.

Kjo qasje në kuadër të Team Europe mundëson shfrytëzimin maksimal të burimeve financiare në dispozicion për investimet e nevojshme.

Mbi të gjitha, banka mobilizoi grante me vlerë 11,2 milionë euro për të filluar projekte të qëndrueshme që lidhen me zhvillimin urban, efikasitetin e energjisë dhe energjinë e rinovueshme, transmeton Portalb.mk.

Pjesa më e madhe e nënshkrimeve të reja është alokuar për transport më të qëndrueshëm, të sigurt dhe efikas, si dhe projektet hekurudhore dhe ujore, duke arritur në 75% të totalit të kreditimit vitin e kaluar, të pasuara nga investimet në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), projekte për mjedisin dhe digjitalizimi.

Si një nga aktorët kryesorë të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), EIB Global vazhdoi të zbatojë investime në partneritet me Komisionin Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe partnerët nga Ballkani Perëndimor.

Kjo qasje brenda Ekipit të Evropës mundëson përdorimin maksimal të burimeve financiare për investimet e nevojshme.

Banka e BE-së ka hartuar gjithashtu instrumente financiare novatore, duke përfshirë përzierjen e huave, garancive, këshillimit dhe granteve, në kuadër të Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+), për të mbështetur bashkitë, prodhuesit e energjisë, korporatat, NVM-të dhe bankat tregtare me investime në sektorët e energjisë, lidhjes dhe digjitalizimit.

Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “Ndikimi i financimit tonë në rajon pasqyron angazhimin dhe këmbënguljen tonë të Grupit të BEI-t për Ballkanin Perëndimor, të shtrirë mbi 45 vjet.

Gjatë dy viteve të fundit, Evropa është përballur me kriza të ndërthurura që kanë shkaktuar përçarje masive socio- konomike. Në të njëjtën kohë, këta kanë përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe digjital, duke e nxitur BEI-n t’i kthehet rolit të tij të instrumentit të politikës ekonomike kundër-ciklike në kuadër të nismës ‘Team Europe’ për të ndihmuar ekonomitë vendase të rimëkëmben më shpejt dhe të përshtatin infrastrukturën e tyre me qëllim adresimin e sfidave kritike në të ardhmen.

Që prej vitit 2020, BEI Globale ka investuar 2,5 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë dhe konkrete për vendet, e cila i ka ndihmuar ato në kalimin afatgjatë drejt ekonomisë neutrale ndaj klimës, me energji të sigurt dhe gjithëpërfshirëse, ndërkohë që edhe ka trajtuar njëkohësisht pasojat më të menjëhershme të krizës.

“Tani, ne planifikojmë të zgjerojmë përfshirjen tonë në sektorin e energjisë, duke kontribuar në paketën e mbështetjes energjetike me vlerë 1 miliardë euro të BE-së, e cila u miratua në dhjetor 2022, dhe që parashikon projekte të energjisë së rinovueshme, ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit të energjisë dhe objekteve të ruajtjes së energjisë”, nënvizoi zëvendëspresidentja Pavlova.

Fillimi i projekteve miqësore për klimën dhe zhvillimi urban

Si bankë e BE- ë për klimën, mbi 80% e 824 milionë eurove të nënshkruara në vitin 2022 shkuan për projekte të qëndrueshme për mjedisin, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në masat për klimën.

Ndër të tjera, të ardhurat e huave do të mundësojnë ndërtimin e seksionit hekurudhor Beograd-Nish në Korridorin X në Serbi, rehabilitimin e pjesës së Kosovës të Linjës Hekurudhore Evropiane 10 dhe përmirësime të mëtejshme të porteve dhe infrastrukturës së rrugëve ujore përgjatë lumenjve Savë dhe Danub.

Në Maqedoninë e Veriut, BEI Globale do të sigurojë financim për infrastrukturën e furnizimit me ujë, ujërave të zeza dhe mbrojtjes nga përmbytjet në 80 komuna. Për të përshpejtuar digjitalizimin, janë alokuar fonde shtesë për projektin “Shkolla të Lidhura” në Serbi.

Krahas financimit të saj, banka ka dhënë grante me vlerë

11,2 milionë euro për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të reja. Në Bosnjë-Hercegovinë, asistenca teknike e BEI Globale do të mundësojë ndërtimin e një ferme me erë 50 MW në rajonin e Travnik, duke përshpejtuar kalimin drejt burimeve të rinovueshme dhe të sigurta të energjisë.

Në Shqipëri, ekspertë teknikë të financuar nga banka po punojnë për një projekt strehimi social në kryeqytetin e vendit, si dhe për zhvillimin e planeve të investimeve për qarqet Shkodër dhe Lezhë, për të ndihmuar në përmirësimin e lidhjes, cilësisë së mjedisit dhe ofertës turistike. Në Kosovë, këshilltarët e BEI Globale po ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe standardeve të arsimit të lartë.

“Si pjesë e ‘Team Europe’, BEI Globale ka kënaqësinë të mbështesë rajonin në adresimin e zhvillimit urban dhe nevojave infrastrukturore në mënyrë të qëndrueshme financiarisht, gjithëpërfshirëse në aspektin shoqëror dhe efikase për energjinë. Këto grante janë një dëshmi e mëtejshme e përkushtimit tonë për të nxitur zhvillimin e Ballkanit Perëndimor me energji të sigurt dhe neutral ndaj klimës, përafrimin e tij me standardet e BE-së dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike”, deklaroi zëvendëspresidentja e BEI-së Lilyana Pavlova.

Partner kyç i bizneseve të vogla në rajon

Kontributi në rimëkëmbjen, rritjen, krijimin e vendeve të punës dhe dekarbonizimin e sektorit privat vijoi të mbetet në fokusin e Grupit të BEI-t për vitin 2022.

Në bashkëpunim me institucionet kombëtare të zhvillimit dhe bankat tregtare, banka siguroi 150 milionë euro në formën e linjave kreditore për NVM-të për t’i ndihmuar ato të adresojnë nevojat e tyre për likuiditet dhe investime, duke kaluar në një model më neutral ndaj klimës, gjithëpërfshirës dhe digjital.

Në këtë vit u njoftua zyrtarisht linja e kredisë për financimin e ndikimit të bankës që nxit sipërmarrjen e grave dhe mundësitë gjithëpërfshirëse të punësimit në të gjithë rajonin. Nëpërmjet kësaj kredie, bankat partnere ofrojnë shpërblime financiare për kompanitë që zotohen të punësojnë njerëz nga grupet sociale në nevojë në një bazë afatgjatë. Në përgjigje të krizës aktuale energjetike, BEI Globale krijoi një linjë krediti të dedikuar për projekte efikase për klimën dhe energjinë.

Së fundi, Fondi Evropian i Investimeve, pjesë e Grupit të BEI-t, njoftoi “Instrumentin e Garancisë së WBEDIF për Qëndrueshmërinë e NVM-ve” me një financim prej 60 milionë eurosh për të siguruar akses në financa me kushte të favorshme për rreth 4000 biznese të vogla në rajon.

Garancia pritet të zhbllokojë një portofol me vlerë sa rreth shtatëfishi i burimeve të alokuara – rreth 400 milionë euro, dhe të ofrojë një mbështetje thelbësore për NVM-të vendase në aksesimin e kreditimit, rritjen e qëndrueshmërisë së tyre dhe forcimin e kapaciteteve duke kaluar drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe me karbon të ulët.