Search

Intervenimet shtesë për riparimin e kazanëve të Kosova B nisin sivjet

17 Janar, 2023


Këtë vit pritet të fillojnë intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve të termocentralit Kosova B, parakusht ky i domosdoshëm për t’u plotësuar për të mundësuar ndërrimin e elektrofiltrave në këtë termocentral.

Pas shumë analizave të bëra nga ekspertë të KEK-ut, është vlerësuar dhe konstatuar se Termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre ( rreth 40 vjet në prodhim të pandërprerë) mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem, nëse u bëhen ca riparime të domosdoshme.

Sipas ekspertëve, me dy- tre projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet.

Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve kanë një kosto goxha të kushtueshme për KEK-un dhe mjetet e parapara si të nevojshme për këto riparime- diku rreth 20 milionë euro) duhet t’i sigurojë vet KEK-u.

“KEK-u me rishikim të buxhetit ka dedikuar rreth 11 milionë euro për projektin e dilatimeve (riparimet shtesë në kazanët e Kosovës B), dhe tashmë është inicuar kërkesa për këtë investim”, kanë theksuar kohë më parë për Buletinin Ekonomik, zyrtarë të KEK-ut.

Projekti i elektrofiltrave për Kosovën B fillon zbatimin në vitin 2024

Lexo më shumë

Këto ditë, zyrtarë të KEK-ut i kanë thënë Buletinit Ekonomik, se intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve, do të nisin, gjithsesi, sivjet. Ky është parakusht i domosdoshëm për t’u plotësuar për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B.

Dhe punët rreth riparimit të nevojshëm të kazanëve, praktikisht, do të thotë nisja e impementimit të mbarë projektit për vendosjen e elektrofiltrave në Kosova B.

Ndërsa, vendosja e elektrofiltrave, sipas të gjitha gjasëve do të fillojë më 2024.