Search

Industria e energjisë në Greqi bashkohet për projektin 2.5 miliardësh të hidrogjenit të gjelbër

05 Maj, 2021


Kompanitë greke të gazit, derivateve dhe të ndërtimit kanë bashkuar forcat me institucionet e hulumtimit në Greqi dhe partnerë të huaj për zhvillimin e projektit ‘White Dragon’.

Sipas vlerësimeve preliminare, vlera e investimit në këtë projekt të hidrogjenit të gjelbër përllogaritet të jetë rreth 2.5 miliard euro, ndërsa nuk përjashtohet mundësia kjo vlerë të arrijë deri në 4 miliardë euro.

Për të mundësuar zhvillimin e këtij projekti, kompanitë greke kanë synuar fonde të Komisionit Evropian ndërsa këta të fundit pop resin propzozime për projekte të hidrogjenit të ripërtëritshëm dhe pa karbon deri më 7 maj nga të gjithë anëtarët e Aleancës Evropiane për Hidrogjen të Gjelbër, ku bën pjesë edhe Greqia.

Koalicioni i kompanive për projektin ‘White Dragon’ tani më kanë aplikuar për statusin e projektit të rëndësisë së përbashkët Evropiane (IPCEI) në kuadër të programit ‘Hydrogen Europe’.

White Dragon do të mbështetet në energji solare për prodhimin e hidrogjenit. Projekti përfshinë pajisje solare të prodhimit të energjisë me kapacitet të përgjithshëm të instaluar të prodhimit prej 1.5 gigavatësh.

Sipas planifikimeve, projekti do të zhvillohet në pjesën e Maqedonisë Perëndimore në Greqi, që shquhet si rajoni me më së shumti sasi dhe projekte qymyri në Greqi.

Greqia ka për qëllim të largojë përdorimin e qymyrit deri në vitin 2025.

Sasitë e hidrogjenit të prodhuar do të mund të eksportohen

Koalicioni i kompanive që po zhvillojnë projektin udhëhiqet nga Korporata Publike e Gazit në Greqi (DEPA). Koalicioni gjithashtu përfshinë kompani tjera sikurse Motor Oil, Operatorin e Sistemit të Transmisionit (DESFA), Mytilineos, Hellenic Petroleum, Terna dhe Solaris nga Polonia.

Në koalicion gjithashtu janë përfshirë organizatat CERTH dhe Qendra Kombëtare për Hulumtime Shkencore Demokritos.

Ndërsa projekti White Dragon mbështetet në teknologji të hidrogjenit të gjelbër, që do të thotë se hidrogjeni do të prodhohet nga uji duke përdorur rrymë me prejardhje nga burime të ripërtëritshme, në kuadër të projektit është parashikuar edhe ndërlidhja me tubacionet e gazit natyror.

Kësisoji, duke përdorur Gazsjellësin Trans-Atlantik (TAP), White Dragon mund të mbështesë ngrohjen publike apo edhe si burim energjie për autobusë dhe kamionë.

Dy projekt propozime tjera që mund të ndërlidhen me ‘White Dragon’ tani më janë dorëzuar në Fondin e Gjelbër të Greqisë për aprovim. Njëri projekt parashikon përdorimin e kanalizimit për të prodhuar hidrogjen për kamionët e mbeturinave në Greqi.

Tjetri projekt ka të bëjë me shndërrimin e një ndërtese publike në ndërtesë dhe strukturë që prodhon më shumë energji elektrike se sa i nevojitet, ndërsa energjia shtesë do të përdoret për të prodhuar hidrogjen për autoambulancë.

Andaj, nëse merren parasysh edhe investimet në projekte tjera, vlera e përgjithshme e investimit në hidrogjen të gjelbër dhe në projektin e ‘White Dragon’ mund të arrijë në 4 miliardë euro.

Në përgjithësi, projekti pritet të prodhojë rreth 3.9 gigavat kapacitete të hidrogjenit deri në vitin 2028, apo 16,000 ton hidrogjen të gjelbër në vit.

White Dragon gjithashtu përfshinë gazsjellës me gjatësi prej 122 kilometrash

Planet dhjetë-vjeçare të DESFA në vlerë prej 540 milion eurosh dhe të aprovuara nga autoriteti i rregullatorit në Greqi përfshijnë edhe projekte për transportimin dhe magacinimin e hidrogjenit dhe gazrave tjerë të ripërtëritshëm, si pjesë e programit nacional të dekarbonizimit.

Kompania ka për qëllim të ndërtojë edhe një gazsjellës 122-kilometërsh në Maqedoninë Perëndimore në vlerë prej 110 milion eurosh.

Një tjetër projekt madhor i hidrogjenit të gjelbër në rajonin e Evropës Juglindore është ‘Blue Danube’ në vlerë prej 5.8 miliardh eurosh. Projekti përfshinë vendet si Gjermania, Austria, Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria, ndërsa pritet të ketë kapacitet të prodhojë rreth 2 gigavat të hidrogjenit të gjelbër.

Strategjia e Hidrogjenit e Bashkimit Evropian ka për qëllim të zhvillojë kapacitete prej 6 gigavatësh të elektrolizatorëve të hidrogjenit të ripërtëritshëm dhe kapacitete prodhimi për një milion ton hidrogjen të gjelbër deri në vitin 2024.