Search

INDEP: Kosova nuk ka ndjekur parimet e rimëkëmbjes së gjelbër

16 Qershor, 2022


Kosova nuk ka ndjekur parimet e rimëkëmbjes së gjelbër, ka thënë Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në raportin e ri mbi rimëkëmbjen e gjelbër në Kosovë.

Pandemia do të lë gjurmë edhe pas përfundimit të saj. Pasojat shëndetësore, ekonomike dhe zhvillimore vërehen edhe tani. Por përmirësimi i kësaj gjendjeje do të kërkojë kohë për t’u kthyer në normalitet.

Pakot stimuluese që janë implementuar deri më tani janë forcë shtytëse drejt rimëkëmbjes, por këto pako nuk janë të mjaftueshme për krijimin e një zhvillimi të qëndrueshëm

“Kosova nuk ka ndjekur parimet e rimëkëmbjes së gjelbër. Burimet e ripërtëritshme nuk janë përkrahur në Pakon e Ringjalljes duke mos u bërë asnjë investim në këtë sektor, e gjithashtu as në shtimin e masave të efiçiencës së energjisë. Mbështetja për disa muaj, siç është praktikuar përmes masave të kësaj pakoje, ka ndikuar vetëm në lehtësimin e disa problemeve, por jo edhe në tejkalimin e tyre. Një gjë e tillë nuk krijon qëndrueshmëri afatgjate, nuk ndihmon tranzicionin energjetik dhe nuk krijon vende të reja të punës”, thuhet në raportin e INDEP.

INDEP publikon raportin e progresit të Kosovës mbi Agjendën e Gjelbër

Lexo më shumë

Në Kosovë, për gjatë periudhës 27 mujore që nga infektimi i personave të pare me COVID-19, nuk ka pasur pako të cilat kanë qenë të bazuara në rimëkëmbje të gjelbër.

Kjo për faktin që masat e përfshira në pakot stimuluese kanë qenë të karakterit social, duke ofruar para dhe formalizim, e duke mos krijuar vende të reja të punës përmes masave të cilat përmbajnë politika të gjelbra, thuhet në raport.

Ndërsa pandemia ka ofruar shumë mundësi për transformim të sektorit të energjisë, INDEP në raport ka gjetur se Qeveria e Kosovës nuk po ndërmerr masa për të bërë këtë.

“Mundësia e rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19 përmes rimëkëmbjes së gjelbër është adekuate dhe profitabile. Përpos diversifikimit të burimeve të energjisë dhe shtimit të tyre, do të arrihej zhvillim ekonomik më i pastër dhe me perspektivë më të madhe se sa që është tani”, thuhet në raportin e INDEP.

Raportin e plotë mund t’a lexoni duke klikuar këtu.