Search

IEA: Kërkesa në rritje për rrymë mund të rezultojë në çmime të larta në tre vitet në vijim

20 Janar, 2022


Në mungesë të ndryshimeve më të shpejta strukturore në sektorin e energjisë, rritja e kërkesës për energji elektrike në tre vitet në vijim mund të rezultojë në paqëndrueshmëri më të madhe të tregjeve energjetike si dhe në vazhdimin e emetimeve të larta të ndotjes, sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).

Vitin e fundit, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka konkluduar se kërkesa për energji elektrike në botë është rritur për 6 përqind.

Kjo rritje ishte më e larta e rexhistruar që nga viti 2010, ka thënë IEA në raportin për tregun e energjisë elektrike.

Sipas IEA, rritja e shpejtë e konsumit ishte ndikuar nga rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, si dhe kushtet jo të mira atmosferike.

Sipas raportit të fundit, për shkak të çmimeve të larta të gazit në Evropë si dhe pjesëmarrjen e kësaj lënde me 20% në miksin e përgjithshëm të prodhimit të rrymës, çmimet mesatare të shitjes së energjisë elektrike me shumicë në pjesën e katërt të vitit 2021 ishin katër herë më të larta se mesatarja e rexhistruar në vitet 2015-2020.

Fatih Birol, drejtor në IEA, ka thënë se rritja e cmimit të rrymës ka shkaktuar probleme në shumë amvisëri dhe biznese, si dhe rrezikon rritjen e mëtejshme të pakënaqësive.

Ai ka kërkuar nga politikbërësit që të ndërmarrin veprime për të zbutur ndikimet e çmimeve të larta në grupet më të cenueshme të konsumatorëve, si dhe të adresojnë shkaktarët e kësaj krize.

Sipas tij, më shumë investime në teknologjitë me pak karbon, duke përfshirë edhe ato të ripërtëritshme, efiçienca e energjisë dhe energjia bërthamore, të gjitha këto bashkë me zgjerimin dhe zhvillimin e më të shpejtë të rrjeteve të shpërndarjes, mund të ndikojnë në zbutjen e vështirësive që janë shfaqur.

Sektori industrial më së shumti ka ndikuar në rritjen e kërkesës për rrymë ndërsa qymyri kishte mbuluar më shumë se gjysmën e kësaj rritjeje në botë.

Për më shumë, rreth gjysma e rritjes së kërkesës për energji elektrike është ndikuar nga Kina, ku kërkesa për energji elektrike në baza vjetore është rritur për 10%.

Ashtu sic kishte thënë edhe më herët, edhe në raportin e fundit IEA ka gjetur se prodhimi i rrymës nga qymyri ka arritur në nivelet më të larta që nga viti 2011. Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga kostot e ulëta të qymyrit krahasuar me ato të gazit.

Në anën tjetër, BRE-të janë rritur për 6%, krahasuar me 3.5% të burimeve bërthamore dhe 2% të atyre të gazit.

Për vitet 2022-2024, raporti parashikon një rritje mesatare të kërkesës për rrymë për 2.7% ndërsa energjitë e ripërëritshme, për 8%.

Raportin e plotë mund t’a gjeni këtu.