Search

I pari në Ballkan dhe më i madhi në Europë – Serbia nis projektin agrosolar, pritet plotësuar nevojat e rreth 200,000 familjeve me energji

05 Maj, 2022


Fintel Energija dhe MK Group kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me PowerChina, duke shënuar fillimin e projektit Agrosolar në komunën serbe të Kulës, i pari i këtij lloji në rajonin e Ballkanit.

Projekti Agrosolar do të përfshijë prodhimin e bimëve dhe prodhimin e energjisë elektrike me panele diellore në të njëjtin vend. Kapaciteti total i paneleve diellore pritet të jetë 660 MW, duke e bërë atë termocentralin më të madh diellor në Evropë, pasi më i madhi aktualisht është Nunez Balboa 500 MW në Spanjë. Megjithatë, një projekt me një kapacitet prej 1000 MW është paralajmëruar në Francë, së bashku me një termocentral diellor 950 MW që do të ndërtohet në Kroaci.

MK Group tha se projekti, i cili mundëson prodhim të qëndrueshëm bujqësor nën panele diellore, është i pari i këtij lloji në Ballkan dhe më i madhi në Evropë. Investimi është vlerësuar në 340 milionë euro.

Tiziano Giovannetti, CEO i Fintel Energija, tha se ndërtimi i një parku diellor pilot 50 kilovat, i cili do të fillojë në tre muajt e ardhshëm, është një hap veçanërisht i rëndësishëm. Projekti Agrosolar, sipas tij, do të shtrihet në 770 hektarë në komunën e Kulës. Termocentrali diellor do të ketë një kapacitet prej 660 MW, dhe prodhimi vjetor i planifikuar i energjisë së gjelbër është rreth 832 GWh, i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e rreth 200,000 familjeve.

Në këtë mënyrë, kompania vazhdon të kontribuojë në arritjen e qëllimit të Serbisë për të rritur pjesën e energjisë nga burimet e rinovueshme në të paktën 40% deri në vitin 2040, sipas Giovannetti.

Sipas Andrija Vuković, CFO i MK Group, projekti Agrosolar sjell risi të mëdha përmes sinergjisë së energjisë së gjelbër dhe bujqësisë së qëndrueshme.

Projekti do të sjellë risi të mëtejshme në sektorin energjetik serb, pasi në fazën e dytë do të ndërtohet një central për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër me energji nga një termocentral diellor, tha ai. Krahas hidrogjenit të gjelbër, kjo teknologji do të mundësojë prodhimin e 300 tonë pleh mineral ure në ditë, i përftuar në mënyrë krejtësisht të qëndrueshme, sipas Vuković.

Yang Bo, përfaqësuesi i PowerChina në Serbi, tha se nënshkrimi i dokumentit zyrtarizon bashkëpunimin dhe partneritetin e kompanisë kineze me Fintel Energija dhe MK Group, pionierë dhe liderë në Evropën Juglindore në këtë fushë.

//SCAN