Search

Gojani: Për shkak të mungesës së izolimit të shtëpive dy herë paguajmë dhe dy herë kemi humbje

11 Mars, 2021


Është publikuar filmi dokumentar ‘Smogu i madh 2020’, i kuruar nga Engjëll Berisha dhe i administruar nga Autostrada Biennale.

Smogu i madh i vitit 2020 si titull i referohet smogut të famshëm të Londrës të vitit 1952 dhe vë paralelisht një nga problemet më të mëdha të qyteteve kryesore në Ballkan, duke renditur në matje të cilësisë së ajrit si dhjetë qytetet me cilësinë më të dobët të ajrit.

Në këtë listë shpesh përfshihen Prishtina, Shkupi, Sarajeva dhe Beogradi. Madje, ato krahasohen me qytete të mëdha industrial aziatike, si Vuhan, Shenjan dhe Mumbai, ndonjëherë duke i kaluar ato.

‘Ajri është jashtzakonisht shumë i ndotur dhe arsyjet të gjithë i dijmë por veprimet e mundshme, qoftë nga organet që duhen, në këtë rast, Ministria e Ambientit, duhet të ketë kujdes më tepër’, ka thënë një qytetar i Prishtinës për cilësinë e ajrit.

Një nga arsyjet për cilësinë e dobët të ajrit të Prishtinës është ndër të tjera makineria e tymit apo termocentrali i qymyrit në Obiliq.

Ky problem ndryshon edhe perceptimin e peizazhit. Dikur artistët e trajtonin në rrafshin estetik, kurse në kontekstin bashkëkohor, peisazhi është vegël për të shfaqur problemet sociale dhe gjeopolitike.

Gojani: Problemet me cilësi të ajrit të kahmotshme, nuk kemi përmirësuar gjendjen

‘Cilësia e ajrit nuk është një gjë e re për Kosovën. Gjendjen e keqe të cilësisë së ajrit e kemi tash e sa vite, mirëpo fatkeqësisht nuk po e merrë rëndësinë e duhur në mënyrë që të adresohet’, ka thënë Rinora Gojani, menaxhere e programeve dhe operacioneve në Balkan Green Foundation.

Gojani foli për shkaktarët e ndotjes së ajrit në Kosovë duke listuar burimet e energjisë ndërsa 97 për qind e energjisë elektrike në vend prodhohet nga dy termocentrale të vjetra me linjit, industritë, menaxhimin e mbeturinave, bujqësinë, strategjitë jo-adekuate dhe mangësitë ligjore si shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në vend.

‘Kosova ka edhe disa ndotës konstant e që janë termocentralet pasi nga to marrim 93% të rrymës që ne e konsumojmë. Ato janë ndotëse shumë të madhe për shkak se cilësia e linjitit që ne përdorim si burim energjie, është një substancë që është tejet e keqe dhe e dëmshme dhe e kualitetit shumë të dobët’, ka thënë Gojani.

Gojani: Duhet të fillojë zbatimi i praktikës ‘ndotësi paguan’

E përveç dëmeve në shëndetin e banorëve, Gojani ka theksuar edhe dëmet që emetimet shkaktojnë në florë dhe faunë, ndërsa ka përmendur edhe shirat acidike që ndodhin si rezultat i kombinimit të gazrave në atmosferë dhe ndikimin në ndryshimet klimatike.

‘Ne nuk kemi industri të mëdha. Edhe këto që i kemi, energjia, gruthyesit, – shkaktojnë dëme në ajër. Edhe mbeturinat, e keni parë shumë shpesh që i futet flaka mbeturinave dhe aty ka shume lloje mbeturinash, disa prej tyre mund të jenë të rrezikshme kur djegen. Ato lirohen në mjedis, madje ndotin edhe ujërat nëntokësore’, ka thënë Gojani, ndërsa ka përsëritur thirrjen që të mos digjen fushat para kultivimit, pasi si praktikë përvec ndotjes mbyt edhe pesticidet ushqyese bujqësore.

Gojani ka thënë se gjendja do të vazhdojë të jetë e njejtë deri kur fillon zbatimi i ‘penalizimeve’ apo i praktikës ‘ndotësi paguan’.

Ajo ka shtuar se legjislacioni rregullon kryesisht sektorin publik, ndërsa sektori privat mbetet i parregulluar.

‘Në fakt, sektori privat është konsumues më i madh se ai publik. Edhe në momentin kur bëhen ligje është e rëndësishme të vlerësohet se si është gjendja. Shpesh marrim praktika të huaja pa i vendosë në kontekst të vendit dhe pa parë se si mund të aplikohen tek ne. Është shumë e rëndësishme që cdo veprim, cdo legjislacion, cdo praktikë që merret të futet në kontekstin vendor. Po e shohim që edhe strategjinë për cilësinë e ajrit që e kemi nga viti 2013, nuk ka sjellë ndonjë efekt deri sot. Sot jemi në vitin 2021’, ka thënë Gojani.

Gojani: Energjinë termike po e kthejmë në energji elektrike, dhe prapë në energji termike për të shkaktuar ndotje të dyfishtë

Gojani ka spikatur edhe problemin masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë dhe amvisëritë në Kosovë. Për shkak të mungesës së izolimit të shtëpive, kërkesat për energji elektrike në amvisëritë Kosovare janë më të mëdha.

‘Nëse ndërtesat do të ishin efiçiente edhe të izoluara atëherë nuk do të kishim me pasë nevojë me djegë aq shumë substance apo edhe me përdor energjinë elektrike për ngrohje. Energjinë termike po e kthejmë në energji elektrike, dhe prapë në energji termike, dhe këtu dy here kemi ndotje. Dy here paguajmë dhe dy here kemi humbje’, ka thënë Gojani.

Smogu i Madh i vitit 2020 i kuruar nga Engjell Berisha është pjesë e Ekologjitë e s ardhmës, një program nga Jemi Këtu: Imazhi në lëvizje nga artistët nga Koleksioni i Këshillit Britanik dhe LUX i zhvilluar nga Tendai John Mutambu, Këshilli Britanik dhe LUX.

Ekologjitë e së ardhmës në Ballkanin Perëndimor paraqiten përmes një programi ekspozitash, shfaqjesh dhe ngjarjesh publike, të kuruar nga gjashtë kuratorë nga rajoni.