Search

GLPS numëron veprimet urgjente për Qeverinë Kurti, kërkon ndaljen e dhënies së lejeve për hidrocentrale

13 Prill, 2021


Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në konferencën për medie me temë “Disa nga veprimet më urgjente për Qeverinë Kurti II”, tha se është e nevojshme që deri në fund të këtij viti të vaksinohet gjysma e popullatës me vaksinën kundër virusit Covid-19.

Njomza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS, tha se Qeveria duhet të bëjë një analizë të thellë të dëmëve të shkaktuara nga pandemia.

Tutje, Arifi tha se duhet të punohet që të krijohet një ambient më i përshtatshëm për investimet e huaja.

“Në këtë konferencë kemi për synim t’i ofrojmë Qeverisë disa propozime për veprime konkrete. Një ndër prioritete është menaxhimi i pandemisë. Për të mbajtur situatën nën kontroll Qeveria duhet të rishikojë gjendjen. Furnizimi me vaksina duhet të jetë prioritet, duhet të bisedojnë me shtetet mike. Deri në fund të këtij viti të vaksinojë gjysmën e shoqërisë. Vaksinimi nuk duhet të lejohet të bëhet në mënyrë selektive. MSh-ja të fillojë një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve. Duhet të punohet në mbajtjen e trurit profesionist dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Implementimi i drejtë i pakos për rimëkëmbje ekonomike. Qeveria duhet të bëjë analizë të thellë të dëmeve që ka shkaktuar pandemia”, u shpreh ajo, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, Rreze Hoxha-Zhuja, hulmutuese në GLPS, tha se për një qeverisje të mirë nevojitet edhe reforma në administratë publike.

Tutje, Hoxha-Zhuja shtoi se Qeveria duhet të hartojë një strategji për ruajtjen e mjedisit si dhe të trajtoj me seriozitetin më të lartë nevojën për planifikim hapësinor strategjik dhe konform standardeve të lejueshme ndërkombëtare.

GLPS kërkon ndaljen e dhënies së lejeve për hidrocentrale dhe promovim të transportit të qëndrueshëm

GLPS ka kërkuar nga Qeveria të mos bëjë kompromis ndaj atyre që degradojnë ambientin si dhe ndaljen e dhënies së lejeve ‘jo-ligjore’ për hidrocentrale të ndryshme.

‘Qeveria e Kosovës nuk duhet të ketë kompromis kundrejt atyre që tentojnë të degradojnë ambientin. Mbetet thelbësore që të ndalet dhënia e lejeve jo-ligjore për hidrocentrale të ndryshme, e njësoj edhe për ndërtime të tjera të cilat rrezikojnë mjedisin ku jetojmë’, ka thënë GLPS në letrën e publikuar.

E përvec hidrocentraleve, organizata ka kërkuar edhe promovimin e transportit të qëndrueshëm, në bashkëpunim me qeveritë lokale.

‘Strategjia e gjelbërt e qeverisë duhet të përfshij konceptin e transportit kolektiv, dhe e njejta duhet që së bashku me qeveritë lokale, të investoj në infrastrukturë adekuate dhe alternative që reduktojnë nevojën e përdorimit të automjeteve’, thuhet në kërkesat e GLPS për Qeverinë e Kosovës’, thuhet në fund të letrës së GLPS.