Search

Gjykata serbe urdhëron ndërmarrjen EPS të zvogëlojë emetimet e SO2

30 Nëntor, 2022


Një gjykatë në Beograd ka vendosur në favor të kërkesës së institutit RERI, dhe ka urdhëruar ndërmarrjen shtetërore energjetike në Serbi, EPS, të zvogëlojë emetimet e dioksidit të sulfurit (SO2) nga termocentralet me thëngjill.

Studimet të mëhershme kanë treguar se termocentralet në Ballkanin Perëndimor emetojnë 2.5 herë më shumë SO2 se ato në BE, duke rritur kështu vlerat e ndotjes në rajon.

Instituti RERI ka nisur padi ndaj EPS-së në janar të vitit 2021, pasi kishte dorëzuar disa kërkesa për inspektime në termocentrale nën dyshime se të njejtat po tejkalonin vlerat e lejuara të emetimeve të SO2. Të gjitha kërkesat e tyre për inspektime ishin refuzuar nga Ministria e Mjedisit në Serbi, raporton Balkan Green Energy News.

Gjykata vendosi se nisja e padisë civile ishte i vetmi instrument ligjor në dispozicion për të ndaluar dëmet e mëtejshme shëndetësore dhe mjedisore që po krijoheshin me tejkalimin e vlerave të lejuara të emetimit të SO2, transmeton Kosovo.Energy.

EPS ka qenë e obliguar të zvogëlojë emetimet e SO2 nga termocentralet që nga janari i vitit 2018, sipas planit të aprovuar kombëtar për zvogëlimin e emetimeve (NERP), të cilit Serbia i është përkushtuar pas miratimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Sidoqoftë, vetëm gjatë vitit 2018 dhe 2019 termocentralet Nikola Tesla (TENT A dhe TENT B) si dhe termocentrali në Kostolac, kishin emetuar gjashtë herë më shumë SO2 se që ishin të lejuar, dhe i njejti trend kishte vazhduar edhe në vitet në vijim, ka thënë RERI.