Search

Gjermania shtetëzon kompaninë më të madhe importuese të gazit në vend

22 Shtator, 2022


Qeveria gjermane ka rënë dakord që të shtetëzojë kompaninë më të madhe importuese të gazit në vend, Uniper.

Ky është zgjerim i ndërhyrjes së shtetit në industri për të parandaluar mungesën e energjisë, që vjen si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.

Marrëveshja me kompaninë Uniper bazohet në një paketë shpëtimi, për të cilën është rënë dakord në korrik, me një rritje kapitali prej 8 miliardë eurosh që do të financohen nga qeveria.

Si pjesë e marrëveshjes, qeveria gjermane do të marrë shumicën e aksioneve në Uniper, i cili deri më tani kontrollohej nga Fortum me bazë në Finlandë.

Qeveria finlandeze ka aksionet më të mëdha në Fortum.

Humbjet e Uniperit janë rritur pasi Rusia ka shkurtuar furnizimet me gaz natyror për vendet europiane që mbështesin Ukrainën. Çmimet janë rritur për karburantin e nevojshëm për ngrohjen e shtëpive, prodhimin e energjisë elektrike dhe fabrikat e energjisë, duke rritur kështu frikën e mbylljes së bizneseve, derisa moti ftohet.

Javën e kaluar Gjermania gjithashtu mori kontrollin e tri rafinerive të naftës në pronësi ruse, para se embargoja ndaj naftës ruse të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

/rel