Search

Gjermania planifikon më shumë masa për të përshpejtuar projektet solare dhe të erës

27 Janar, 2023


Qeveria gjermane është duke përgatitur një numër masash të reja për të përshpejtuar vendosjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në gjithë vendin, me qëllim të arritjes së caqeve që ka përcaktuar për ndryshimet klimatike.

Këtë të enjte, ministri gjerman i energjisë, Robert Habeck ka thënë se ky vend së shpejti do të shpërfaqë masat e reja dhe pakot për burimet solare dhe ato të erës.

Këto masa kanë për qëllim të largojnë procedurat burokratike dhe të përshpejtojnë procesin e miratimit të projekteve të burimeve të ripërtëritshme, ka thënë Habeck.

Në fjalimin e tij, Habeck tha se këtë vit Gjermania do të jetë e përkushtuar në rritjen e industrisë së hidrogjenit, duke filluar nga çështjet rregullative e deri të infrastruktura dhe prodhimi.

Në fund, Habeck tha se në tre muajt në vijim, Gjermania do të trajtojë sigurimin e çmimeve konkurruese të energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme për klientët industrial.