Search

“Ferronikeli” i shitet kompanisë turke “Yildirim”

07 Qershor, 2022


Grupi Yildirim, një konglomerat ndërkombëtar me bazë në Turqi, ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e kompanisë “NewCo Ferronikeli”, një prej prodhuesve më të mëdhenj të hekurit dhe nikelit në Evropë, ka bërë të ditur të martën kompania.

Të gjitha aksionet e “NewCo Ferronikel”-it zotëroheshin deri tash nga Grupi BALFIN.

“NewCo Ferronikeli” është një aset i rëndësishëm strategjik për Republikën e Kosovës, me peshë për shtetin dhe me impakt të madh në makroekonomi. ‘NewCo Ferronikeli’ është themeluar në vitin 1984 si ndërmarrje shtetërore, me një kompleks që përfshin fabrikën për prodhimin e Nikelit në dy linja si dhe rezervat e pasura me minerare nën hapësirën përreth. Yildirim ka një interesim të veçantë që të angazhohet në ‘NewCo Ferronikeli’, meqë ka edhe një plan konkret biznesi për të rritur aktivitetin në fushën e metaleve dhe minierave, për ndërtimin e një prej kompanive më të mira në Evropë për prodhimin e Nikelit. Plani i propozuar i biznesit do ta shndërrojë ‘NewCo Ferronikel’-in në njërën prej fabrikave më të vlefshme të Grupit YILDIRIM”, thuhet në njoftim.

Ferronikeli ndërpret punën, shkak kriza energjetike dhe rritja e çmimit

Lexo më shumë

Dega e Grupit Yildirim, Yildamin Holding, sipas njoftimit, zgjeroi gamën e prodhimit të ferroaliazheve. Kompania, tashmë, renditet e katërta në botë në biznesin e kromit, e dyta në botë për prodhimin e ferrokromit me karbon të lartë (HC FeCR) dhe është lidere në fushën e prodhimit të kromit me kualitet të lartë dhe sektorin minerar.

Yildirim operon në 54 shtete në 5 kontinente, duke punësuar më shumë se 18,000 njerëz anembanë botës, thuhet në njoftim.

Pak fjalë për fabrikën e Ferronikelit

Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ferronikeli është investimi më i madh privat në industrinë e rëndë në Kosovë. Ndërmarrja punëson 900 punëtorë si dhe mbi 250 përmes kontraktorëve të ndryshëm.

Është privatizuar në vitin 2006. Ndërmarrja prodhon mbi 6.000 tonë xehe në muaj dhe kontribuon me mbi 50% të eksportit të gjithëmbarshëm të Kosovës.

Kompleksi i “NewCo Ferronikeli” përfshin fabrikën të prodhimit të nikelit si dhe depozitat potencialisht të pasura me minerale, nën sipërfaqe të peisazheve përreth fabrikës në Drenas.

Fabrika në Drenas, ishte dëmtuar si pasojë e luftës në Kosovë.

Indikacionet e ekzistencës së mineraleve të nikelit në Kosovë, ishin zbuluar në vitin 1958. Depozitat e mineralit të nikelit në Kosovë janë oksid i tipit laterit. “NewCo Ferronikeli” është me fabrikë me dy linja prodhimi. Është ndërtuar në vitin 1984.