Search

Evropa fillon të mbledhë gjeneratorë për Ukrainën

24 Nëntor, 2022


Qytetet më të mëdha të Evropës do t’i dhurojnë Ukrainës gjeneratorë dhe transformatorë energjie si pjesë e një fushate të përbashkët.

Organizimi erdhi pasi temperaturat filluan rënien dhe Rusia vazhdon të sulmojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Nisma “Gjeneratorët e Shpresës”, e nisur të mërkurën nga Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe Dario Nardella, kryetar i Bashkisë së Firences dhe president i Eurocities, një rrjet prej më shumë se 200 qytetesh të mëdha evropiane, synon të sigurojë energji për objektet thelbësore në vend, duke përfshirë spitalet, shkollat, stacionet e furnizimit me ujë, qendrat e ndihmës, strehimoret dhe shtyllat telefonike.

“Parlamenti Evropian dhe BE-ja kanë treguar solidaritet të jashtëzakonshëm me Ukrainën në frontin humanitar, ushtarak dhe financiar. Tani ata kanë nevojë për mbështetje praktike për të kapërcyer dimrin,” tha Metsola në një konferencë shtypi.