Search

Emetimet e Kinës tejkalojnë emetimet e liruara nga të gjitha vendet e zhvilluara së bashku

07 Maj, 2021


Kina tanimë përllogaritet të jetë përgjegjëse për më shumë emetime të gazrave serrë se sa të gjitha vendet tjera të zhvilluara të botës së bashku, sipas një studimi të ri të publikuar nga Rhodium Group.

Rhodium Group është një kompani e pavarur e kërkimit e cila kombinon analizat e të dhënave ekonomike dhe depërtimin e politikave për të ndihmuar vendimmarrësit në sektorin publik dhe privat të kuptojnë trendet globale.

Në këtë mënyrë, sipas publikimit të tyre të fundit Rhodium Group ka nënvizuar se emetimet e gazrave serrë të liruara nga Kina, duke përfshirë këtu dioksid karboni, metan dhe oksid azoti, janë rritur në 14.09 miliardë ton CO2 në 2019, duke parakaluar kështu totalin e anëtarëve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim me rreth 30 milion ton, sipas grupit hulumtues për klimë.

Për herë të parë në histori India parakalon Bashkimin Evropian si emetuesi i tretë më i madh në botë

Shkalla masive e emetimeve të Kinës thekson rëndësinë e qasjes së adoptuar të Presidentit Xi Jinping për të arritur kulmin e emetimeve të karbonit para vitit 2030, dhe pastaj të arrijë net-zero deri në 2060.

Kina përllogaritet për 27 përqind të emetimeve totale të karbonit, ndërsa emetuesi i dytë më i madh në botë, SHBA-të, kontribuojnë me rreth 11 përqind, gjersa India për herë të parë ka parakaluar Bashkimin Evropian me rreth 6.6 përqind të totalit botëror.

Mirëpo, Kina ende mbanë numrin më të madh popullsisë në botë, dhe rrjedhimisht emetimet për kokë banori ende mbesin shumë më të ulëta nëse krahasojm me SHBA-të.

Anëtarët e OBEZH ende cilësohen si fajtorët kryesor të ngrohjes globale, duke pompuar më shumë se katër herë sasi të gazrave serrë në atmosferë se sa Kina që nga viti 1750.

“Historia e Kinës si një ndotës i madh është relativisht e shkurtër në krahasim me vendet e tjera të zhvilluara, shumë nga të cilat kanë pasur një fillim gati një shekull më herët të kësaj praktike”, kanë nënvizuar hulumtuesit, duke shtuar se “Ngrohja aktuale e klimës është një rezultat i emetimeve të liruara në kohët e fundit por edhe të së kaluarës së largët”.