Search

eKesco me 74 mijë përdorues

10 Gusht, 2021


Aplikacioni eKesco, i cili u mundëson konsumatorëve të paguajnë faturat e energjisë elektrike online si dhe të jenë të informuar për çdo zhvillim që lidhet me furnizimin me rrymë ka arritur këto ditë në 74 mijë përdorues.

‘Tashmë eKesco ka mbi 74.000 përdorues në Kosovë dhe jashtë saj të cilët vazhdojnë të përfitojnë nga lehtësirat që ofron ky aplikacion’, kanë shkruar KESCO në rrjete sociale.

Me zhvillimin e teknologjisë, pagesa e rrymës dhe në disa raste edhe shërbimeve tjera është lehtësuar jashtzakonisht shumë. Tani, për të bërë pagesat konsumatorët nuk duhet të presin me orë të tëra në zyret dhe arkat e kompanive, por kjo mund të bëhet edhe nga distanca, duke përdorur telefonat mobil.

Kohë më parë, operatori i furnizimit me energji elektrike ka prezantuar aplikacionin eKesco. Përmes këtij aplikacioni, konsumatorët e energjisë elektrike mund të paguajnë fare lehtë dhe shpejtë faturat e energjisë elektrike.

Përpos pagesave të lehta dhe të shpejta që mund t’i realizoni, eKesco ofron edhe njoftime për punime në rrjet, specifikë kjo që ofron informata të rëndësishme rreth furnizimit me energji elektrike, e gjitha përmes telefonit tuaj mobil.

KESCO ka kërkuar nga të gjithë përdoruesit të vendosin të dhënat e sakta, me qëllim të ofrimit të shërbiumeve më të mira.

‘Nëse të dhënat tuaja janë të sakta, atëherë njoftime të tilla ju do të pranoni, dy ditë para se punimet të zhvillohen në rrjet, kjo për të mos afektuar aktivitetin tuaj ditor’, ka shkruar eKESCO.

Aplikacioni eKesco – mund të shkarkohet në telefonat e mençur dhe është pa pagesë.

Përdoruesit e telefonave me sistem Android, këtë aplikacion mund ta shkarkojnë në PlayStore, ndërsa përdoruesit e telefonave iPhone mund ta shkarkojnë në AppStore.

KESCO është themeluar në janar të vitit 2015. Një nga reformat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse të sistemit energjetik në Kosovë, është edhe ndarja e Shpërndarjes dhe Furnizimit dhe KESCO është një nga ato reforma të cilat synojnë liberalizimin e tregut të furnizimit me energji elektrike.