Search

Çmimi për prodhimin e rrymës për tre muaj u rrit mbi 17%

07 Dhjetor, 2022


Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka bërë të ditur se indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë është ngritur për 11.3 për qind në tre muajt korrik-shtator.

Ndërsa, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, prodhimi i rrymës është shtrenjtuar mbi 17 për qind.

Përveç ngritjes së çmimeve tek energjia elektrike, rritje është vërejtur edhe tek gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar 46.9 për qind, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve elektrike 5.8 për qind.

Rritje është shënuar edhe tek prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës 5.4 për qind, produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve 1.6 për qind, prodhimi i produkteve minerale jo metalike 0.5 për qind, prodhimi i pijeve 0.2 për qind, dhe prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës 0.1 për qind.

Përveç ngritjeve nga ASK-ja është thënë se është shënuar edhe ulje në çmime.

“Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit (-21.3%); prodhimi i mobilieve (-4.7%); prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (-3.8%); prodhimi i metaleve (-1.3%); përpunimi i produkteve ushqimore (-0.9%)”.

“Prodhimi i produkteve kimike (-0.8%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (-0.6%); dhe xeheroret dhe guroret e tjera (-0.4%)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Gjithashtu, me 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, ka marr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Edhe më 16 nëntor, zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka marrë vendim që të gjobit KESCO-n me 8.4 milionë euro dhe KEDS-in me 2.7 milionë.

/Albanianpost.com