Search

Bloomberg: Mungesa e gazit në Evropë ndihmon rikthimin e qymyrit

16 Qershor, 2021


Sipas një raporti të ri nga Bloomberg, mungesa e gazit natyror në kontinentin e Evropës është duke ndikuar në rikthimin e qymyrit, përdorimi i të cilit është kthyer në nivele të larta, apo ashtu siç ishte para krizës pandemike.

Përdorimi i qymyrit në këtë kontinent është rritur për 15% këtë vit nga 10% sa ishte. Ndërsa ekonomitë në vende në Evropë po rihapeshin dhe njerëzit po fillonin punën, vendet si Gjermania, Holanda dhe Polonia kanë kthyer përdorimin e qymyrit për të mundësuar sigurinë energjetike.

Evropa po kryesonte luftën kundër ngrohjes globale. Në këtë continent veçse është themeluar tregun më të madh të karbonit në botë, që duke ngarkuar prodhuesit e çelikut, çimentos dhe industritë tjera me emetime karboni për ndotjen që i shkaktojnë mjedisit.

Por, përkundër çmimeve dhe tregut të karbonit, mungesa e rezervave të gazit natyror ka sjellë më shumë përdorimin e qymyrit, karburantit më ndotës fosil.

‘Kërkesa për energji elektrike ka qenë shumë e fuqishmë në Evropë dhe tani kemi filluar rimëkëmbjen ekonomike post-pandemike. Rezervat e gazit janë aq të ulta sa që Evropa nuk mund të përballojë prodhimin e rrymës duke përdorur këtë karburant’, ka thënë Andy Sommer nga Axpo Solutions AG.

Rikthimi i qymyrit do të jetë problematik për Evropën, tani që po planifikohet mbajtja e samitit në Glasgou mbi klimën në fund të këtij viti. Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha në botë kanë dështuar të përcaktojnë datën për ti dhënë fund djegies së qymyrit në takimin e G7 në fundin e javës së kaluar.

Evropa është ballafaquar me temperatura shumë të ulëta më herët këtë vit, duke ndikuar në rritjen e kërkesës për energji elektrike në kohën kur gazi natyror po transportohej për në Azi. Edhe Rusia ka furnizuar me më pak gaz Evropën përmes Ukrainës, ndërsa po pret fillimin e operimit zyrtar të gazsjellësit të ri për në Gjermani, Nord Stream 2.

Depozitat evropiane të gazit natyror janë aktualisht 25% nën mesatarën pesë-vjeçare. Në Holandë depozitat e gazit janë në gjendje edhe më të keqe, 50% nën mesataren pesë-vjeçare.

‘Njerëzit besonin se Rusia do të eksportonte më shumë gaz përmes Ukrainës por edhe kjo nuk ka ndodhur. Tregu është zvogëluar shumë dhe për shkak të mungesës, po përdorë më pak gaz për prodhim të energjisë elektrike’, ka thënë Trevor Sikorski nga Energy Aspects në Londër.

Djegia e qymyrit vazhdon të jetë profitabile, përkundër çmimeve rekorde në treg

Kërkesa për energji elektrike, e cila kishte rënë për shkak të krizës pandemike, është rikthyer edhe më fuqishëm. Kërkesa për rrymë në vende sikurse Gjermania, Spanja dhe Republika Çeke është më e lartë se mesatarja pesë-vjeçare, ndërsa në Itali dhe Francë kërkesa është e njejtë, ka thënë Morgan Stanley në një raport të publikuar këtë të hënë.

Mungesa e rezervave të gazit dhe taksat e larta të mirëmbajtjes dhe transmetimit të rezervave që vijnë nga Norvegjia, prodhuesit e rrymës i janë rikthyer qymyrit për të mbajtur ndezur dritat për konsumatorë.

Ndërsa çmim i qymyrit është duke shënuar rekorde këtë vit, shumë nga kompanitë energjetike kanë bërë blerjen shumë vite më parë, kur çmimet ishin të ulëta. Kjo do të thotë se djegia e qymyrit ende vazhdon të jetë profitabile.

Sipas kësaj, termocentralet e reja efiçiente mund të prodhojnë më shumë energji elektrike nga qymyri deri më 2023, përkundër çmimeve të larta të karbonit, ka thënë Sommer nga Axpo.

Sipas G7, djegia e qymyrit është ndër burimet kryesore të emetimeve të gazrave serrë në mjedis. Në komunikatën e lëshuar për media pas samitit të fundit, G7 kanë premtuar se do të intensifikojnë zhvillimin teknologjik dhe politikat që përshpejtojnë tranzicionin nga qymyri.

‘Ky definitivisht nuk është mesazhi që duhej të kishin dhënë G7. Do të ishte fantastike sikur politikanët të arrinin marrëveshje për largim të qymyrit në 2030, apo 2035’, ka thënë Ursula Tonkin nga Whitehelm Capital Loë Carbon Core Infrastructure Fund në Australi.