Search

Banorët e Gllogocit ndihen të rrezikuar nga kabllot e rrymës

16 Janar, 2023


Prej tre vjetësh, banorë të një lagjeje në Komunën e Lipjanit përballen me rrezikun nga kabllot e rrymës. Ata treguan se janë ankuar disa herë në KEDS, porse deri tash nuk u është bërë zgjidhje. Në KEDS u krenuan me investimet në nivel vendi, por nuk folën për rastin konkret.

Banorë të fshatit Gllogoc të Lipjanit thonë se tash e tre vjet i ekspozohen rrezikut nga kabllot elektrike që nga shtyllat e lakuara, thuajse prekin në tokë. Në disa raste, distanca e kabllove me tokën nuk është as një metër.

Shtyllat që mbajnë këto kabllo në lagjen “Duriqi”, janë të dëmtuara, disa të djegura e të tjera të lakuara.

Banorët e rrugës “Kungullari” treguan se janë ankuar disa herë në KEDS, por se deri tash, nuk u është bërë zgjidhje.

“Qe tre vjet e kemi këtë problem. Kemi bërë kërkesë në KEK në Lipjan. Para tri javësh, kur ishin shirat e fundit, rryma ka shkuar flakë në shtyllë elektrike. Kjo është hera e fundit që i drejtohemi KEDS-it dhe nëse nuk marrim përgjigje, jemi të detyruar të shkojmë në stacion policor”, ka thënë Shaban Avdullahu, banor i kësaj lagjeje.

Një banor i lagjes, i cili është elektricist me profesion, thotë se kabllot nuk janë adekuate për ta përçuar intensitetin e rrymës në këtë lagje.

“Kanë mbetur shumë lagje në këtë gjendje, me tela katastrofë. Katër shtëpi me tela Fi-16, tel i cili mund të furnizoj një shtëpi, e jo tre-katër shtëpi. Këta kanë problem. Çdo natë ose i ndalet një fazë ose i këputet teli 0. Ka ndodhur që rryma ia ka djegur aparatet dhe elektronikën në shtëpi”, ka thënë Avdullahu.

Në KEDS thanë se janë investuar 209 milionë euro në rrjetin e distribucionit, por nuk dhanë asnjë përgjigje për problemin konkret në Gllogoc të Lipjanit.

“Ne kemi investuar në qindra lokacione deri tash, por kur ende nuk janë bërë 10 vjet nga fillimi i operimeve, e kemi pasur të pamundshme që të investojmë në tërë territorin e vendit. Ndërkaq, për eliminimin e rrezikshmërisë eventuale nëse vlerësohet si e tillë, ekipet tona do të intervenojnë në kohën më të shkurtër të mundshme”, ka thënë Margarita Rashiti, zëdhënëse në KEDS.

Lagjja “Duriqi”, që ka probleme me rrjetin energjetik, përballet edhe me mungesë të infrastrukturës rrugore në të cilën nuk është ndërhyrë nga komuna.