Search

Auditorja gjenë se KEK ka paguar më shtrenjtë për mallra dhe shërbime

12 Maj, 2022


Me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit nga Zyra Kombëtare e Audtimit, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje se ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe të kontrollit.

Ajo theks të veçantë i bëri për raportin e KEK-ut.

Sipas Spancës, aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, në disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.

“Korporata Energjetike e Kosovës kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose kishte diskriminuar në dëmë ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomik”.

“KEK kishte lidhur numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke i arsyetuar me situata të emergjencave ekstreme përderisa rrethanat që e kishin krijuar këto situata i atribuohen neglizhencës ose lëshimeve të saj. Aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast KEK, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, ne disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera”, theksoi ajo.

Spanca ka thënë po ashtu se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit.

“Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmendi vetëm disa: Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për punë dhe detyra te rregullta te organizatës, mangësi në procesin e prokurimit publik, disa prej tyre, përdorimi i procedurës jo adekuate te prokurimit publik, tejkalim i vlerës se kontratave, mangësi në menaxhimin e kontratave, inicim i projekteve pa zotim të mjaftueshëm të fondeve, mos pagesa e faturave brenda afatit 30-ditëve, mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve”.

“Po ashtu mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencion, jo efikasitet ne verifikimin e pronave komunale, masa jo te mjaftueshme ne inkasimin e llogarive te arketueshme dhe njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara”, tha Spanca.