Search

Alternus Energy blenë parkun solar 20 megavatësh në Rumani për 22 milion euro

06 Maj, 2021


Prodhuesi i pavarur i energjisë elektrike (IPP) në Evropë, Alternus Energy Group ka thënë se ka blerë parkun solar me kapacitet të instaluar prej 20 megavatësh në orë piku ‘LJG Green Source Energy Beta SRL’ në Rumani nga Risen Energy GmbH për 22 milion euro, raporton SEE News.

Ky përvetësim do të rrisë kapacitetet e përgjithshme të instaluara të prodhimit të energjisë të kompanisë Alternus për 29% dhe / ose në 68 megavat orë, ka thënë kompania në komunikatën për media.

‘Përmbyllja e këtij transaksioni do të lirojë rrugën për zhvillimin e parqeve tjera të prodhimit të energjisë elektrike, ndërsa Alternus ka për qëllim të bëhet ndër prodhuesit më të mëdhenj në Evropë të energjisë solare’, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i Alternus Energy, Vincent Browne.

LJG ka filluar operimin nga viti 2013 dhe prodhon rreth 24.4 gigavat orë energji elektrike çdo vit. Performanca e mirë e këtij projekti solar ka sjellë fitime stabile vjetore prej rreth 6.4 milion eurosh nga shitja e sasive të prodhuara të energjisë brenda programeve stimuluese të BE-së dhe shitja direkte tek kompanitë lokale të energjisë nën marrëveshje afatgjata të blerjes së energjisë, ka thënë Alternus.

‘Me blerjen e projektit ne kemi rritur përfitimet vjetore të kompanisë në më shumë se 17 milion euro, nga 4 milion euro sa kishim në fund të vitit 2020’, ka thënë Browne nga Alternus Energy.

LJG është projekti i dytë i përvetësuar nga Alternus në Rumani këtë vit, dhe projekti më i madh me të cilin kompania operon në të gjitha vendet.

Në mars, Altenrus kishte përvetësuar dy projekte solare në Rumani nga ndërmarrja Renesola, me kapacitet të kombinuar të prodhimit prej 15.4 megavatësh në orë piku.