Search

ALPEX nis procedurat për gjetjen e operatorit të platformës së tregtimit

22 Mars, 2021


Platforma shqipëtare për shkëmbim të energjisë elektrike (ALPEX) ka bërë thirrje publike për operatorin e platformës elektronike të tregtimit të rrymës në tregjet e shkëmbimit ‘një ditë para’ dhe ‘brenda ditës’.

Alpex është themeluar në tetor të vitit të kaluar nga operatori i sistemit të transmisionit në Kosovë (KOSTT) dhe në Shqipëri – OST.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e platformës për shkëmbim të energjisë elektrike, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka thënë se ALPEX duhet të prokurojë shërbime për operimin e tregjeve për shkëmbim të rrymës ‘një ditë para’ (DAM) dhe për bashkimin e tregut, pas themelimit dhe konsolidimit të tij.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 4 maji, kanë raportuar mediat në Kosovë.

Kostoja e këtij shërbimi të prokurimit është përllogaritur të jetë 1.8 milion euro (225 milion lekë).

Sipas dokumenteve të tenderimit, KOSTT dhe OST janë pajtuar të themelojnë treg të përbashkët të energjisë elektrike të bazuar në modelin operacional të shkëmbimit të rrymës për dy zonat kontrolluese.

Alpex, i vendosur në Tiranë, do të operojë me tregjet afat-shkurta të energjisë elektrike në Shqipëri dhe Kosovë, dhe në planifikimin e tregut ‘një ditë para’.

Sipas dokumenteve, Alpex do të zbatojë modelet e Bashkimit Evropian me qëllim të zhvillimit të tregut unik evropian të energjisë elektrike.

Procesi i themelimit të Alpex ka filluar në muajin mars 2020 kur Qeveria e Shqipërisë kishte lansuar tenderin për kompanitë e interesuara të bëhen aksionare.