Search

Alpex nis procedurat për gjetjen e operatorit të platformës së tregtimit për herë të tretë

30 Gusht, 2021


Pas dështimit të dy tenderave të mëparshëm për platformën elektronike ku do të bëhet tregtimi i energjisë, bursa ALPEX ka rihapur procedurën e prokurimit me vlerë 1.8 milion euro.

Tenderi ka të bëjë me krijimin e platformës elektronike të tregtimit të energjisë elektrike për operimin e tregut të përbashkët të shkëmbimit ‘një ditë para’ dhe ‘brenda ditës’ ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 16 shtator.

Dështon për të dytën herë tenderi për platformën elektronike të ALPEX

Lexo më shumë

ALPEX është themeluar në tetor të vitit të kaluar nga operatorët e transmetimit të energjisë elektrike OST në Shqipëri dhe KOSTT në Kosovë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit në vitin 2017.

Shqipëria ka 57.25 përqind të aksioneve të ALPEX ndërsa KOSTT 42.75 përqind. Dy operatorët janë aksionarët e vetëm të ALPEX.

Sipas dokumenteve të tenderimit, KOSTT dhe OST janë pajtuar të themelojnë treg të përbashkët të energjisë elektrike të bazuar në modelin operacional të shkëmbimit të rrymës për dy zonat kontrolluese.

Hapi i parë për themelimin e tregut të përbashkët energjetik ishte bërë në vitin 2016 me inaugurimin e linjës së re 75 milion euroshe të interkoneksionit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të financuar nga qeveria gjermane përmes bankës KfW.

Dështon për të dytën herë tenderi për platformën elektronike të ALPEX

Lexo më shumë

Themelimi i ALPEX dhe bashkimi i sistemeve energjetike në Shqipëri dhe Kosovë ishte mundësuar vetëm pasi KOSTT kishte filluar operimin e pavarur nga Serbia, pas nënshkrimit të marrëveshjes së kyçjes me ENTSO-E, apo rrjetin evropian të transmetuesve të energjisë elektrike.

Në dokumentet që shoqërojnë garën, Alpex sqaron edhe arsyet pse dështuan dy procedurat e mëparshme.

Në Maj u paraqit vetëm një operator në garë, i cili u diskualifikua për mosplotësim kriteresh. Ndërsa në Gusht, pavarësisht se pati dy ofertues, një gabim aritmetik detyroi skualifikimin e një oferte që në të kundërt do të ishte fituese.

Themelohet Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike - ALPEX

Lexo më shumë