Search

100 milion euro investime në infrastrukturë dhe ambient në kuadër të pakos për ringjalljen ekonomike

05 Korrik, 2021


Përmes postimit në rrjete sociale, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se me rishikimin e buxhetit do të mundësohen 420 milion euro mbështetje për Ringjalljen Ekonomike të Vendit.

‘Nga buxheti i tërësishëm për investime kapitale, rreth 100 milionë euro janë të dedikuara për investime strategjike që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e ambientit’, ka thënë ministri në postimin e tij.

Murati ka thënë se në kuadër të investimeve në ambient, Qeveria është duke negociuar me institucione tjera financiare ndërkombëtare edhe për investime tjera në fushën e efiçiencës dhe energjisë elektrike.

Ministri ka sqaruar se është duke u hulumtuar edhe për mundësi tjera financimi nga grantet dhe donatorët.

‘Po ashtu, në këtë aspect ka edhe investime tjera që janë duke u bërë e që janë jashtë buxhetit, siç është rasti me investimin në filterët e TC Kosova B, investim ky që sillet rreth 90 milionë euro, ku shumica është grant nga fondet e IPA të BE-së. Kjo do të ndihmojë dukshëm cilësinë e ajrit dhe jetën e banorëve në komunat përreth’, ka shkruar Murati.